Transmetuar më 25-02-2020, 11:39

Ish ministri i Jashtëm, Edmond Panariti bën një analizë të reformës në drejtësi dhe arrin në përfundimin se ai ishte vetëm një eksperiment brutal që paralizoi sistemin.

Duke shtruar pyetjen se çfarë përfitoi vendi nga "një eksperiment "brutal" me emrin reformë", z.Panariti thotë:

"Eksperimenti prodhoi paralizë të plotë kushtetuese, institucionale dhe asfiksi të sistemit".

Por shqetësimi shtohet teksa konstatohet se bëhet fjalë për një paralizë që nuk po zgjat me ditë, as me javë dhe as me muaj, por me vite.

"Kjo paralizë po zgjat që nga viti 2016 dhe jemi në vitin 2020 e në vazhdim, ne kemi mbetur pa gjykata supreme", konstaton me keqardhje ish deputeti Panariti, disa herë ministër në kabinetet qeveritare ku LSI ka qenë në koalicion.

Për ish ministrin, "ky "prototip" reforme nuk ka shans të përsëritet në asnjë prej vendeve fqinje sepse u ndalua nga Bashkimi Evropian dhe u refuzua nga vetë vendet në proces reformimi".

Megjithatë ky eksperiment që dëmtoi Shqipërinë, vlen diçka për të tjerët: "Do të shërbejë vetëm për tu treguar këtyre vendeve se si nuk duhet vepruar, pa e pësuar mbi lëkurën e tyre!", përfundon Panariti. /noa.al/