Transmetuar më 25-02-2020, 14:22

“Qeveria duhet të ndalë menjëherë propagandën dhe të marrë masa konkrete për kontrollin e qytetarëve që vijnë nga Italia, kryesisht nga rajonet ku koronavirusi ka përhapjen më të madhe”.

Kështu thotë kryedemorati Lulzim Basha, i cili kërkon që këto masa të mos jenë show televiziv, por kontrolle të plota në të gjitha pikat hyrëse në Shqipëri.

Sipas tij, është urgjent hartimi dhe shpallja e planit të masave dhe informimi i qytetarëve si duhet të veprojnë në rast të dyshimit se janë të prekur nga corona virus.

“Ndërkohë që Shqipëria ndodhet përballë rrezikut potencial të prekjes nga koronavirus, mijëra bashkëqytetarë ndodhen në kushte të mjerueshme për shkak të tërmetit të 26 nëntorit. Në mungesë të një strehe ata jetojnë ende në çadra ose janë rikthyer në banesat e dëmtuara, në kushte aspak të favorshme higjenosanitare dhe me mungesa të theksuar në ushqime. Është neglizhencë kriminale të humbet akoma kohë, kur duhen marrë masa urgjente për strehimin apo sigurimin e konteniereve për banorët që jetojnë në çadra, çka ka sjellë dhe gjendje të rënduar shëndetësore dhe kushte aspak të përshtatshme higjeno-sanitare për ta”, shkruan kryedemokrati.

Ai thotë se njerëzit janë të shqetësuar me të drejtë, ndaj është koha që të flasin mjekët dhe të izolohet propaganda.

Kryetari i Partisë Demokratike iu bën thirrje qytetarëve që të mos neglizhojnë asnjë shenjë rëndimi apo përkeqësimi të shëndetit të tyre por t’u drejtohen mjekëve dhe specialistëve të fushës.

“Ne kemi personel të shkëlqyer mjekësor që nuk kërkon asgjë më shumë se plotësimin e kushteve dhe nevojave për të përballuar çdo situatë. Detyra e qeverisë është të sigurojë këto kushte dhe jo të bëjë shoë dhe propagandë. Jam i bindur se nëse vihen në dispozicion mjetet e nevojshme, mjekët tanë do të përballojnë me sukses çdo situatë që mund të krijohet”, thotë në mbyllje kreu i opozitës. /a.y/noa.al