Transmetuar më 25-02-2020, 17:17

“Nuk ka vend për panik!” Kështu thotë Kryeministri Edi Rama lidhur me situatën e krijuar në vend pasi virusi i rrezikshëm preku Italinë.

Ai publikon një video me këshilla dhe ka një ftesë për të gjithë, “Ju lutem ndiqini këto këshilla të thjeshta të miratuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe shmangni sa më shumë telebroçkullat dhe dixhidokrrat që ushqejnë ankthin e panikun”.

Rama thotë se deri në këtë moment nuk ka asnjë rast të koronavirusit.

Por ai shton se nëse në ditët a javët në vijim do të duhet ta përballim, “Jini të sigurtë se do ta kalojmë edhe këtë flamë. Së bashku”.

Mes këshillave në videon e OBSH është larja e shpeshtë e duarve, mos prekja e syve, hundës, gojës, të mbuluarit e gojës dhe hundës gjatë teshtitjes si dhe shmangia e kontakteve me personat e prekur nga infeksionet respiratore akute.

Këshillohet që të mos merren antibiotikë përveç rasteve të këshilluara nga mjeku, të pastrohen sipërfaqet me dezinfektant, përdorimi i maskës në rast dyshimi se jeni sëmurë apo keni kontakt me një person të sëmurë.

Ndër të tjera thuhet se produktet që vijnë nga Kina nuk janë të rrezikshme dhe se kafshët shtëpiake nuk e përhapin virusin e ri.

Ftohen qytetarët që të kontaktojnë numrin e urgjencës 127 në rast se kanë më pak se 14 ditë që janë kthyer nga një nga vendet e prekura dhe nëse kanë shenja të sëmundjes. /a.y/noa.al