Manifestimi i 2 marsit, zbulohet letra e Metës për policinë: Ardhja e pranverës Kuq e Zi
Transmetuar më 25-02-2020, 18:02

“Për Republikën; Për Kushtetutën; Për Kombin; Për unitetin e popullit!” Është kjo thirrja e Presidentit Ilir Meta për qytetarët, për t’iu bashkuar manifestimit të 2 marsit në orën 17.00 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ditën e sotme është zbuluar dokumenti që Presidenca i ka dërguar Policisë së Shtetit për të marrë masa për garantimin e sigurisë gjatë manifestimit.

Në të thuhet se “Qëllimi i këtij manifestimi paqësor është ndërgjegjësimi dhe zgjimi i qytetarëve shqiptarë për të mbrojtur dhe rivendosur sovranitetin e tyre mbi të gjitha institucionet e Republikës, të drejta këto, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe parimeve themelore të njohura prej saj. Një prej qëllimeve të këtij manifestimi është nënshkrimi nga Presidenti i Republikës përpara sovranit (popullit), të dekretit të parë kundër grushtit të shtetit që kërkon të realizojë Kuvendi njëpartiak në dhunim të Kushtetutës me qëllim kapjen në mënyrë antikushtetuese të institucionit më të rëndësishëm të Republikës, Gjykatës Kushtetuese”.

Po ashtu deklarohet se i gjithë ky ndërgjegjësim do të realizohet përmes mesazheve paqësore publike që Presidenti i Republikës do të japë në këtë manifestim.

Në dokument thuhet se drejtuesi i këtij manifestimi paqësor është Oresidenti Ilir Meta dhe se organizatorë dhe ndihmësit e tij, do të jenë këshilltarët Bahri Shaqiri, Dedë Prenga, Shemsi Premçi.

Po ashtu thuhet se qytetarët janë ftuar të kenë me vete flamuj kombëtar dhe buqeta me lule mimoze të frekëta që paralajmërojnë ardhjen e pranverës Kuq e Zi për të gjithë shqiptarët e bashkuar kudo janë.

Në këtë organizim do të mbajë fjalën e tij Presidenti i Republikës, Meta dhe personalitete të spikatura publike që dëshirojnë të përcjellin mesazhe, frymëzuar nga motoja e këtij manifestimi, por jo politikan, dhe as ushtarakë aktivë.

Nënvizohet se punonjësit e Policisë së Shtetit, nuk janë të ftuar të marrin pjesë në këtë manifestim, ndërkohë që Presidenti i Republikës, kërkon nga ana policisë që të merrni masat respektive për garantimin e rendit dhe sigurisë publike në datën dhe orarin e njoftuar. /a.y/noa.al

Loading...