Koronavirusi, Ministria e Shëndetësisë akordon 1 milion dollarë për shtimin e mjeteve mbrojtëse
Transmetuar më 25-02-2020, 19:00

Ministria e Shëndetësisë akordon fond për shtimin e mjeteve mbrojtëse përballë rrezikut të koronavirusit.

Pas mbledhjes së pasdites së sotme të Komitetit Teknik të Ekspertëve, me fokus masat paraprake për parandalimin dhe përhapjen e koronavirusit të ri, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka vendosur të rialokojë një fond shtesë prej 1 milion dollarë buxhetit të spitaleve, që do të shkojë për rritjen e stokut aktual të mjeteve të mbrojtjes personale.

Ky fond shtesë shërben vetëm për qëllimin e sipërpërmendur të rritjes së stokut të mjeteve të mbrojtjes personale në strukturat tona spitalore.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale siguron personelin shëndetësor dhe qytetarët se aktualisht, të gjitha strukturat spitalore, kanë në dispozicion sasinë e nevojshme të mjeteve të mbrojtjes personale, për të përballuar situatën.

Ministria e Shëndetësisë gjithashtu garanton se deri në këto momente, nuk ka raste të konfirmuara të koronavirusit COVID 19 në vendin tonë.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri, u bën thirrje të gjithë qytetarëve që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127, në rast të shfaqjes së çdo shqetësimi apo shenje klinike.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale informon qytetarët se do të ofrojë informacione të përditshme, ashtu siç ka bërë deri më tani, në funksion të transparencës dhe informimit të publikut.

Rritet frika në Itali! Shkon në 10 numri i viktimave, 322 të prekur/ Qytetet e goditura

Koronavirusi/ Rritet numri i të infektuarve, kryeministri Conte: Italia është një shtet i sigurt

Koronavirusi, Italia rrit alarmin nga bota arabe deri në Australi

Loading...