Transmetuar më 25-02-2020, 21:06

Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur mbrëmjen e sotme, pas të shtënave me armë zjarri me pasojë vdekjen e dy personave.

Ngjarja ka ndodhur në  fshatin Zejman Kodër-Rrëshen të Mirditës, ku kanë mbetur të vdekur, vëlla dhe motër brenda oborrit të banesës së tyre.

Vëlla dhe motër Vladjon Filopati 34 vjeç dhe Esmeralda Filopati 36 vjeçe janë vrarë brenda oborrit të banesës së tyre.

I dyshuari për masakrën e dyfishtë është ish-bashkëshorti i gruas që humbi sot jetën, por bashkë me të u vra edhe i vëllai i saj.

Zyrtarisht policia lokale tha se dyshohet se autori i krimit është ish bashkëshorti i Esmeraldës, Fatmir Koleci, 47 vjeç nga fshati Zejmen Lezhë.

Vrasësi, pas krimit është larguar menjëherë nga vendngjarja.

Mësohet se autori i krimit kishte tre vite i divorcuar me ish-bashkëshorten, të cilën e qëlloi sot për vdekje bashkë me vëllain e saj.

Vëllai ishte kthyer nga Italia vetëm para pak ditësh.

Viktimat janë dërguar në morgun e spitalit të Rrëshenit.

Policia tha se pas ngjarjes ka ngritur patrulla në gjithë Rrëshenin dhe po punon për kapjen e autorit. Sakaq janë nisur drejt Mirditës edhe forcat RENEA për kapjen e autorit.

Nga hetimet e para vrasja dyshohet se ka pasur si motiv konfliktet familjare nga prishja e martesës së vajzës.

Informacioni paraprak i Policisë: 

Më datë 25.02.2020, në Kodër Rrëshen, Mirditë, rreth orës 20.40, në oborrin e banesës, janë vrarë me armë zjarri shtetasit V.F dhe motra e tij shtetasja E.F. Nga informacionet e para dyshohet se janë qëlluar me armë zjarri nga shtetasi F.K nga fshati Zejmen Lezhë, ish bashkëshorti i shtetases E.F, i cili pas krimit është larguar menjehërë nga vendngjarja.

Në drejtim të vendngjarjes kanë shkuar forca të shumta të Policisë dhe Grupi hetimor.

Gjithashtu në vendngjarje kanë shkuar forcat speciale Renea dhe FNSH e Shkodrës.

Shërbimet e Policisë po krehin zonën pë të bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit.

/NOA.al