Transmetuar më 26-02-2020, 00:08

Italia po përjeton orë të ethshme, teksa rritet shifra e raportuar nga autoritetet spitalore për të prekurit nga koronavirusi. Numri i të vdekurve nga virusi ka shkuar të mërkurën në 11, ndërsa i atyre të infektuar mbi 300. Viktimat janë kryesisht të moshuar.

Pas një mbledhje për koordinimin e emergjencës, kryeministri Giussepe Conte tha se mos ndjekja e protokollit në spital në zonat e rrezikuara, ka ndikuar në daljen e situatës jashtë kontrollit dhe përhapjen e virusit. “Nuk mund të parashikojmë se si do të përhapet virusi. U krijua një vatër dhe që prej atje u përhap, për shkak të moszbatimit të protokolleve në një strukturë spitalore”, u shpreh kryeministri Conte. Ndërkaq, Mbrojtja Civile konfirmoi se nuk ka vatra të reja, vec atyre ekzistuese.

Një sërë kufizimesh që prekin rreth 100 mijë njerëz janë njoftuar në pjesë të Lombardisë dhe Venetos, përfshirë kryeqendrat e këtyre rajoneve Milano dhe Venecia. Ndërsa autoritetet kanë mbyllur shkollat, universitetet, muzetë dhe kanë ndaluar grumbullimet publike rreth veriut të Italisë.

Analistët paralajmërojnë se epidemia, e përqendruar në zemrën financiare dhe industriale të vendit , mund të dëmtojnë rëndë ekonominë e brishtë të vendit, aktualisht në recesion. Italia shënoi një rënie prej gati 5 për qind në tregjet elektronike, ndërsa shumë biznese janë goditur rëndë.

Një grup ekspertësh nga OBSH dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve mbërriti të hënën në Itali për t’i ardhur në ndihmë autoriteteve lokale.

Përditësimi më i fundit

Të dhënat e mbrëmjes së sotme për prekjen botërore nga koronavirus janë si më poshtë:

Të prekur totalisht në të gjithë botën 80423

Të diagnostikuar 24 orët e fundit (25.02.2020) 1092 persona

Të vdekur 2712

Të shëruar: 27936

Nën mbikëqyrje mjekësore aktualisht: 49775

Prej tyre

9211 në gjendje kritike (19%)

40564 në gjendje më pak të rrezikshme për jetën (81%)

Rastet e përfunduara:

2712 të vdekur (9%)

27936 të rikthyer në banesat e tyre (91%)

PËRDITËSIM LIVE