Studentja shqiptare rrëfen çfarë ndodhi gjatë 14 ditëve të qëndrimit të saj në karantinë në Kinë
Transmetuar më 26-02-2020, 00:20

Silva Doçi është studentja që ndodhej në Wuhan të Kinës në kohën kur ka shpërthyer epidemia e koronavirusit, është mbajtur në një karantinë në Turqi për 14 ditë me radhë pasi ka vendosur të kthehet në Shqipëri.

Në një intervistë për gazetaren e Fax News, Jonada Zelka, Doçi ka treguar kohën kur një grup studentësh u mbyllën në ambjentet e universitetit ku studionin, udhëtimin në Shqipëri dhe përmballjen me afrimin e epidemisë në vendin tonë pas rasteve që janë në rritje minutë pas minute në Itali.

“Ditët e para filluam vetë karantizimin sipas rregullave që vendosi universiteti. Të qëndronim brenda, të mos shoqëroheshim me shumë njerëz, pastaj kontaktova ambasadën shqiptare që falë saj jam këtu me ju. U informuam, si do të mbroheshim, si do të kujdeseshim për higjenën personale, deri më tani nuk ka asnjë rast me të prekur nga koronavirusi. Ata që janë atje janë të shëndetshëm me sa di unë.

Vetëizolimi ishte mënyra më e mirë, njerëzit janë të kufizuar në ambjentet e shtëpisë. Për të siguruar ushqime, ka një rregull që një person në vende të posaçme të dalë dhe marrë furnizime, ose ka një person nga një kampus pallatesh që merr porositë dhe ua dërgon nëpër banesa. Tani nuk ka asnjë shqiptar me sa di unë në Wuhan, ishim katër dhe jemi kthyer në Shqipërio.

Kam qëndruar 14 ditë në karantinë në Turqi, isha pjesë e grupit të studentëve dhe qytetarëve turq. Çdo gjë na vinte në dhomën e spitalit, na bënë disa herë kontrolle të vazhdueshme, dolëm negativ dhe u kthyem në Shqipëri. Është lajm shumë i mirë që ne nuk kemi asnjë rast, por Italia është afër dhe nuk i dihet.

Duhet të ketë një sensibilizim dhe pranim të rrezikut, ekziston frika por nuk ka vend për panik, higjena personale është kryesorja, nëse nuk ka në vendet e zhvilluara një ilaç, nuk ka as në Shqipëri. Ndodh kudo që informacionet e rreme të përhapen përmes internetit, por kjo nuk e ndihmon situatën.

Informacioni është më i rëndësishmi, nëse ka maska normalisht duhet bërë përdorimi i tyre. Pashë që njerëzit nuk kanë gjetur maska në farmaci, ky është një problem, dhe gjithashtu nuk duhen rritur çmimet. Fakti që na gjen ne të papërgatitur, nuk do të thotë se jemi vetëm ne. Në Kinë prodhohen maskat dhe e gjeti pa maska”, tha Doçi.

PËRDITËSIM LIVE

Loading...