Transmetuar më 26-02-2020, 10:57

Disa detaje të reja kanë dalë nga vrasja e Sabrina Lekës nga babai i saj shqiptar, ngjarje që tronditi Australinë dhe Shqipërinë.

Nga gjyqi i mbajtur ditët e fundit, u zbulua se çfarë ndodhi mes tyre natën e krimit. Kujtojmë se vrasja makabre ndodhi në makinën që babai i kishte blerë dhuratë për ditëlindje vajzës 20-vjeçare.

Sipas Daily Mail, avokati i shqiptarit tha se ai nuk mund të shpjegonte në gjyq veprimet e tij.

Petrit Lekaj, një anëtar i mirënjohur i komunitetit shqiptar të Adelaide, kishte marrë me vete një thikë 15 cm të gjatë dhe po shkonin për të blerë ushqime, kur nisi zënka në makinë.

Ai po debatonte me të bijën për stilin e jetesës pasi shkonte shpesh nëpër klube nate dhe dyshonte se konsumonte lëndë narkotike.

Petriti deklaroi se i tha vajzës që po shkatërronte jetën e saj, ndërsa ajo ia ktheu se nuk i interesonte, u tha në gjykatë.

Babai nxori thikën që kishte fshehur në pantallona për të frikësuar vajzën, por ia nguli në stomak kur ajo po shihte nga dritarja.

Kur ajo nisi të bërtiste për ndihmë, babai e mbështeti në sedilje dhe e goditi me thikë edhe shtatë herë të tjera duke i shkaktuar vdekjen, u tha në gjykatë.

Pas vrasjes, Lekaj u gjet pranë vajzës së tij me plagë të rëndë në stomak, por u kurua në Spitalin Royal Adelaide./a.m/noa.al