Transmetuar më 26-02-2020, 10:58

Presidenti Ilir Meta vlerësoi me titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” Kryekëshilltarin për Politikën e Jashtme të grupit parlamentar të CDU/CSU-së në Bundestagun gjerman, Hans Joachim Falenski.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në ceremoninë solemne mes të cilëve ishte edhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, politikanë, diplomatë e përfaqësues të shoqërisë civile, Presidenti i Republikës nënvizoi kënaqësinë për dekorimin e një miku të veçantë dhe të vërtetë të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Meta tha se  Falenski ka më shumë se 9 vjet që ndjek nga afër procesin e integrimit europian të Shqipërisë, dhe është një nga njohësit më të mirë si të Shqipërisë, ashtu edhe të procesit të integrimit europian.

“Ai na ka ndihmuar përgjatë gjithë këtyre viteve të kuptojmë qartë se integrimi europian nuk kalon përmes lobimit, por përmes standardeve europiane të qeverisjes, të shtetit ligjor, të funksionimit të institucioneve, të respektimit të të drejtave themelore të njeriut, etj. E them me plot bindje se zoti Falenski është ndër miqtë më të vërtetë të Shqipërisë, sepse përgjatë gjithë kësaj kohe ka mbrojtur standardin europian, dhe asnjë standard tjetër. Nuk është e rastësishme që qëndrimi i Bundestagut gjerman ka qenë dhe mbetet qëndrimi më realist për Shqipërinë.  Askush nuk ka mundur të kontestojë këtë qëndrim si të njëanshëm, të paarsyeshëm, apo diskriminues ndaj Shqipërisë. Kjo ka ndodhur thjesht dhe vetëm për faktin se qëndrimi i Bundestagut është pasqyra ku ne shohim gjendjen reale në të cilën ndodhemi dhe sfidat madhore me të cilat duhet të përballemi”, u shpreh kreu i shtetit.

Ai vlerësoi qëndrimin parimor, të sinqertë, me integritet dhe të drejtpërdrejtë të Bundestagut për mbështetjen e plotë ndaj procesit të integrimit europian të Shqipërisë, ashtu sikundër 9 prioritetet e vendosura për rezultate konkrete, të besueshme dhe të qëndrueshme në rrugën e reformave që janë kyç për demokracinë, sundimin e ligjit dhe që u shërbejnë qytetarëve të vendit tim.

Sipas Metës, ky qëndrim është produkt edhe i punës së zotit Falenski pranë grupit më të madh politik CDU/CSU, duke siguruar mbështetjen gjermane për integrimin europian të Shqipërisë bazuar mbi njohjen më të mirë dhe të ndershme të situatës nga deputetët e Bundestagut.

“Është për të ardhur keq që këshillat e Bundestagut që i paraprinë mbledhjes së Këshillit Europian të tetorit nuk gjetën reflektimin e duhur.  Por tashmë është revoltuese që muajt pasues, në vend që të shërbenin për një reflektim të përgjegjshëm dhe nxitjen e një klime bashkëpunuese, u përdorën për të vijuar provokimet dhe rrugën e anti-kushtetuetshmërisë dhe paligjshmërisë në vend”, tha ai.

Më tej ftoi të gjithë miqtë e vërtetë të Shqipërisë ta shohin të vërtetën në sy, dhe ta ndihmojnë popullin shqiptar që ta ndërtojë të ardhmen e vetë europiane në vendin e tij.

“Unë kam besim se Gjermania, jo vetëm si vend lider i Bashkimit Europian, por edhe si partnerja jonë strategjike do të na gjendet pranë me vërtetësi në këtë kauzë që ka mbështetjen më të madhe kombëtare”, deklaroi ndër të tjera Ilir Meta. /a.y/noa.al