Transmetuar më 26-02-2020, 12:49

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti kërkon shkarkimin e Presidentit Hashim Thaçi, duke e akuzuar për shkeljen e Kushtetutës.

Ai ka informuar kryeparlamentaren Vjosa Osmani për një marrëveshje të vitit 2013 mes Hashim Thaçit dhe NATO-s në shkelje të Kushtetutës.

Rasti në fjalë ka të bëjë lidhur me implikimet kushtetuese të shkëmbimit të letrave të datës 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm z. Hashim Thaçi dhe sekretarit të Përgjithshëm të asaj kohe të NATO-s, z. Anders Fogh Rasmussen.

Përmes kësaj marrëveshje kryeministri Thaçi në emër të Republikës së Kosovës, mori tek KFOR-i të drejtën absolute të vetos mbi të gjitha misionet e ardhshme të FSK-së në veri të Kosovës, për një periudhë të paafatizuar.

Kryeministri Kurti, në shkresën dërguar kryetares së Kuvendit Osmani, thotë se pas pranimit zyrtar të detyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka kërkuar nga stafi i Zyrës së Kryeministrit që, pa vonesë, të analizojë përmbajtjen e kësaj marrëveshjeje sekrete, si dhe implikimet e saj kushtetuese, përkatësisht në lidhje me kërkesat kushtetuese të përcaktuara me nenin 20 (Bartja e Sovranitetit), nenin 18 Ratifikimi i Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe nenin 91 (Shkarkimi i Presidentit).

“Duke marrë parasysh provat në dispozicion të Zyrës së Kryeministrit, si dhe dispozitat relevante të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ekzistojnë baza të mjaftueshme për të konstatuar se Presidenti Thaçi, gjatë kohes kur ishte Kryeministër, ka kryer shkelje të rënda të Kushtetutës dhe se kryerja e këtyre shkeljeve justifikon inicimin e procedurës kushtetuese për shkarkimin e tij nga pozita e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në dokumentin e Kurtit. /a.y/noa.al