Shtëpitë individuale të dëmtura nga tërmeti, Këshilli i ministrave merr vendimin kush do i ndërtojë
Transmetuar më 26-02-2020, 17:02

Qeveria ka miratuar një vendim ku cakton dy autoritetet që do të ndërtojnë shtëpitë individuale në zonat e prekura nga tërmeti. Sipas VKM-së, mësohet se Fondi Shqiptar i Zhvillimit do të jetë autoriteti që do të zbatojë projektin e rindërtimit të shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti, jashtë zonave të reja të shpallura nga bashkitë.

Pra FSHZH do të zbatojë projektet në bashkitë Durrës, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin , Lezhë, Mirditë, Shikaj dhe Vorë. Siç shihet, ka mbetur jashtë zonave të mbulimit bashkia e Tiranës. Në fakt, kjo e fundit do të jetë vetë njësi zbatuese për rindërtimin sipas projekteve model të shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti.

VKM e plotë: Caktimin e njësive zbatuese për rindërtimin e shtëpive individuale. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13, shkronja “b”, nënndarja “iii”, dhe 16, pika 3, të aktit normativ nr.9, datë 16.12.2019, të Këshillit Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”, miratuar me ligjin nr.97/2019, me propozimin e ministrit të Shtetit për Rindërtimin, Këshilli i Ministrave

Vendosi:

1.Caktimin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit si njësi zbatuese për rindërtimin, sipas projekteve model, të shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti, jashtë zonave të reja të shpallura në bashkitë: Durrës, Kamzë, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë.

2.Caktimin e Bashkisë Tiranë si njësi zbatuese për rindërtimin, sipas projekteve model, të shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti, jashtë zonave të reja të shpallura në Bashkinë Tiranë.

3.Ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe Bashkia Tiranë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”./b.l/noa.al/

Loading...