Transmetuar më 26-02-2020, 19:58

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj deklaroi se taksa ndaj mallrave serbe nuk duhet të hiqet. Në një intervistë për telegraf, Haradinaj tha se qytetarët nuk kanë votuar Kurtin dhe Osmanin që të kthejnë Serbinë në Kosovë.

Për këtë çështje, Haradinaj tha se Kurti po dëshiron t’ia kthej tregun Serbisë, duke shtuar se taksa duhet të hiqet vetëm nëse Serbia e njeh Kosovën.

“Qytetarët nuk e kanë votuar Kurtin e Osmanin që ta kthejnë Serbinë në Kosovë. Taksa e ka sjellë Kosovën në peshën që ka. Taksa duhet të hiqet në kontratë finale me njohje jo më herët. Sa më shumë që e kërkon Amerika dhe Evropa heqjen e taksës, kësaj teme i rritet vlera. Është gabim me ofrua reciprocitet.

Ky është Axhamillëk total i Kurtit si mungesë e analizës së thellë. Kurti në vend që me kërkua negocim të vazhdueshëm se përse mu heq taksa, ai ka thënë se do ta bëjë reciprocitetin. Ne kemi me punuar që mos të lejojmë heqjen e taksës, çdo gjë që na lejon demokracia dhe kushtetua do ta bëjmë”, tha Haradinaj.

Ish-kryeministri foli edhe për dialogun, ku bëri të ditur se në vitin 2017, ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogeherini ia kishte ndërprerë konferencën e përbashkët për media shkaku që ai kishte kërkuar përfshirjen e Amerikës në dialogun me Serbinë.