Transmetuar më 26-02-2020, 22:14

Një fabrikë në Turqi e cila deri më sot prodhonte tekstile (pantallona, pallto, xhaketa) ka vendosur që të ndalojë prodhimin e tyre.

Vendimi erdhi për arsyen se fabrika nisi që të prodhojë veshje mbrojtëse nga kërkesa e jashtëzakonshme prej shpërthimit të koronavirusit.

Fabrika prodhon rreth 1 mijë veshje mbrojtëse në ditë, ndërkohë që tani ka shtuar turnet, në mënyrë që të shtojë edhe prodhimin.

Rreth 1 milion veshje mbrojtëse ka qenë porosia e bërë dhe drejtuesit e fabrikës duan që ta përmbushin atë pavarësisht vështirësive.

Menaxheri i prodhimit, Isa Aktas tha se nëse më parë klientët ishin kinezë, tani kërkesat janë shtuar edhe nga Evropa.“Kemi aq shumë kërkesë, sa kemi shtuar edhe numrin e makinerive dhe turnet e natës”.

Epidemia e Koronavirusit ka alarmuar botën. Në Itali numri i të vdekurve ka shkuar në 12, kurse në Kinë mbi 2700. Numri i të infektuarve ka prekur edhe shtetet ballkanase./NOA.al