Transmetuar më 27-02-2020, 02:16

Gazetari Blendi Fevziu tregoi arsyen pse drejtuesit komunistë nuk shprehën pendesë për atë që bën gjatë regjimit, duke nënvizuar se këtë nuk e bënë asnjë prej tyre. Sipas tij, kjo ndodhi pasi diktatorët e humbin sensin e realitetit.

Fevziu tregoi se Ramiz Alia në fund të jetës së tij kishte shprehur një lloj pendese, pasi ishte shprehur se “do të dëshironte të jetonte në demokraci”.

Blendi Fevziu: Asnjë nga drejtuesit komunistë në të gjithë lidnjen nuk shprehu pendesë. Dy persona shprehën pendesë publike: Bedri Spahiu dhe e dyta ka qenë Liri Belishova. Asnjë person tjetër nuk kërkoi falje. Ju shihni fundin e Çausheskut, kur gjithë Rumania ishte në rrugë kundër tij, doli dhe foli për forca të errëta. Diktatorët e humbin sensin e realiteti. Një reflektim indirekt ka pasur Ramiz Alia. Kur e kam pyetur Ramizin se në cilën periudhë do të doje të jetoje, më tha se do të doja të zgjidhja këtë tani. Këtë po e marr si një lloj pendese.

Gazetari dhe drejtuesi i emisionit “Opinion”, tregoi gjithashtu arsyen pse nuk e kishte intervistuar asnjëherë Nexhmije Hoxhën. Ai tha se kishte marrë vendimin për të mos zhvilluar intervistë me të venë e diktatorit, pasi ajo nuk reagonte në përgjigje.

Blendi Fevziu: Nexhimje Hoxha kishte një problem. Nuk reagonte me përgjigje. Unë nuk mund të intervistoja dikë që s`kishte reagim. Kam dy intervista që kanë bërë gazetarët francezë. Problemi kryesor i saj ishte se nuk kishte reflektim. Nuk kisha ndonjë kuriozitetë. Edhe Ramiz Aliaj në intervistat e fundit filloi të ishte pak më mirë. Kjo më ka ndodhur dhe me drejtues të tjerë komunistë. Kam menduar që mund ta intervistoja. Pastaj nuk kam pasur më kontakt me të.

Lidhur me vdekjen e Nexhmije Hoxhës, Fevziu komentoi në “Ora News”, rolin që ka pasur ajo te bashkëshorti i saj Enver Hoxha. Sipas gazetarit, ka dyshime rreth ndikimi të saj te Enveri.

Blendi Fevziu: Nexhmie Hoxha nuk ka qenë vetëm bashkëshortja, por edhe drejtuese në partinë komuniste. Natyrisht atë e asiocojnë më shumë me rolin e të shoqit pas vitit 1973. Është pikërisht koha kur brenda Partisë së Punës fillojnë spastrimet. Në këtë rol ka gjithmonë dyshime në lidhje me rolin e Nexhmije Hoxhës. Është  e vështirë të gjesh dokumente të shkruara, pasi bisedat burrë grua nuk bëhen me dokumente. Ka autorë të ndryshëm që thonë se ajo ka pasur ndikim, ka të tjerë që thonë se nuk ka pasur.

Blendi Fevziu, lidhur me një mendim të shprehur nga Isuf Kalo në librin e tij për Enver Hoxhën, se Nexhmija e kishte frikë bashkëshortin, shprehu një tjetër qëndrim. Ai tha se kjo gjë nuk rezulton të jetë e shkruar në dokumente. Megjithatë, ai tha se Nexhmija në kujtimet e saj justifikonte veprimet e Enver Hoxhës.

Blendi Fevziu: Nuk më rezulton askund në dokumentet që unë kam lexuar, që Nexhmija kishte frikë nga Enveri. Unë nuk e kam njohur në këtë aspekt. Unë e njoh nëpërmjet dokumenteve dhe nuk ka asnjë thyerje në raport me Enver Hoxhën. Ajo ka qenë e pranishme në çdo vendim politik të Enver Hoxhës. Nexhmije Hoxha i ngjante më shumë rolit që ka pasur Elena Çaushesku, që kishte një ndikim publik. Kujtimet e saj vazhdimisht kanë justifikuar krimet e Enver Hoxhës.