Transmetuar më 27-02-2020, 09:55

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në konferencën e nivelit të lartë “Siguria Rrugore 2020”, deklaroi se në vitin 2019 Shqipëria regjistroi 227 të vrarë në aksidente, nga 378 në 2009, me një ulje prej 40%.

Për ministrin ky është një lajm jashtëzakonisht inkurajues, por tha se përsëri shqetësimi mbetet i lartë, pasi aksidentet janë vrasësi kryesor, pas sëmundjeve të rënda.

“Aksidentet vrasin shumë herë më tepër se sa krimi. Aksidentet në rrugë janë një vrasës i heshtur dhe pasojat e tyre kalojnë pa u vënë re shumë. Rënia e një avioni të madh me pasagjerë është një ngjarje shumë e rrallë dhe, nëse fatkeqësisht ndodh, merr vëmendjen e gjithë botës, ndërkohë që aksidentet në rrugë vrasin pa rënë shumë në sy”, u shpreh Lleshaj.

Ai shtoi se ajo që kërkohet në fakt është ndërtimi i një sistemi të sigurtë që përmbledh në vetvete me automjete të sigurta, infrastrukturë të sigurtë, sjellje të sigurtë në rrugë, përgjegjshmëri e lartë, shpejtësi normale, kthjelltësi dhe udhëtim jashtë ndikimit, pajisje të sigurisë, si dhe sjellje dhe përkujdesje më të mirë pas aksidenteve.

Për automjetet e sigurta tha se konsiderohen si një faktorët që kanë sjellë përmirësimin e treguesve të sigurisë rrugore në kontekstin europian.

Lleshaj deklaroi se përgjegjshmëria në qarkullim, shpejtësia normale, drejtimi i mjetit jashtë ndikimit të alkoolit, drogës apo substancave të tjera psikotrope, mos përdorimi i pajisjeve shpërqendruese si telefonat dhe mjete e tjera mobile, vendosja e rripit të sigurisë, përdorimi i ulëseve të posaçme për fëmijët, përdorimi i helmetës etj., janë elementë të faktorit human me rëndësi thelbësore në sigurinë rrugore.

“Ndryshime të rëndësishme parashikohet të propozohen për rritjen e kërkesave për cilësinë e lejeve të drejtimit, sidomos për rimarrjen e tyre, për futjen e testeve psikologjike për shkelësit përsëritës etj.. Po ashtu, në këtë fushë parashikohen programe të rëndësishme për edukimin dhe ndërgjegjësimin qytetar”, tha ministri i Brendshëm.

Ai shtoi se shpërqendrimi konsiderohet burimi për 10-30 % të aksidenteve dhe se përdorimi i telefonave celularë, por edhe i sistemeve elektronike të integruara në makinë është një faktor i rëndësishëm për aksidente rrugore.

Në këtë linjë bëri me dije se studimet serioze provojnë se kërkimi dhe thirrja e një numri telefoni nga celulari e rrit rreth 12 herë riskun e një aksidenti, ndërkohë që formulimi i teksteve për mesazhe e rrit këtë risk me rreth 6 herë.

“Në ndryshimet e reja në kodin e ri rrugor do të parashikohen masa të forta kundër përdorimit të mjeteve që shkaktojnë shpërqendrim, sidomos të celularëve”, tha ndër të tjera.

Sipas tij, qarkullimi në kushte të turbullimit mendor për shkak të alkoolit apo drogës është një tjetër burim i konsiderueshëm rreziku dhe se në këtë fushë parashikohet të bëhen investime të rëndësishme për pajisjen e policisë rrugore me aparate të nevojshëm për matjen e nivelit të përdorimit të alkoolit dhe të drogës.

Ministri tha shpejtësia është një tjetër element shumë i rëndësishëm që lidhet me faktorin human, duke nënvizuar se kryerja e investimeve të rëndësishme për monitorimin inteligjent të akseve rrugore dhe për evidentimin automatik të shkeljeve të rregullave të qarkullimit konsiderohet si një ndër rrugët më të sigurta.

Lidhur me ndihmën e shpejtë deklaroi se, rreth 50% e vdekjeve në aksidente ndodhin në harkun e disa minutave në vendngjarje, ose gjatë transportit për në spital.

Në këtë drejtim nënvizoi se është kjo arsyeja që asistenca e shpejtë dhe efektive në vendngjarje është një fushë ku kërkohet progres i shpejtë dhe se në këtë fushë parashikohet që të bëhen investim të rëndësishme për modernizimin dhe pajisjen e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin.

Për Lleshaj, rritja dhe forcimi i kapaciteteve ligjzbatuese konsiderohet si një ndër faktorët me rëndësi të dorës së parë me ndikim mbi sjelljen e përdoruesve të rrugës dhe se modernizmi, pajisja dhe profesionalizimi i thellë i policisë rrugore dhe i strukturave të tjera të rendit dhe sigurisë publike është një parakusht i rëndësishëm. /a.y/noa.al