Transmetuar më 27-02-2020, 19:14

Menjëherë pas lajmit se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vendosur heqjen e taksës për mallrat Serbe dhe Bosnje e Hercegovina në datën 15 mars ka reaguar ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Në një postim në rrjetin e tij social Facebook, Haradinaj e ka quajtur Kurtin krye mashtrues, i cili u dorëzua para Serbisë, ndërsa thekson se ky është kthimi i Rusisë në Kosovë.

“Sonte Albin Mashtruesi u dorëzua para Serbisë. Ky është fillimi i kthimit të Serbisë dhe Rusisë në Kosovë. Albin Mashtruesi nga sot je përgjegjës për ripushtimin ekonomik të Kosovës nga Serbia. Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!” shkruan Haradinaj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hequr taksën 100% ndaj mallrave serbe. Mirëpo, ky vendim i të parit të Qeverisë nuk është për taksën në tërësi, por vetëm për lëndën e parë.

Në një konferencë për media, kryeministri Kurti ka deklaruar se ky vendim do të zbatohet nga 15 marsi, duke shtuar se nëse Serbia dëshmon se do ndalë fushatën për çnjohje ndaj Kosovës, Qeveria e Kosovës do ta largojë tarifën 100% plotësisht më 1 prill 2020, por nëse Serbia nuk reflekton, tarifa do të rikthehet përsëri më 15 qershor./b.l/noa.al/