Transmetuar më 27-02-2020, 20:30

Tetë anëtarë të Partisë Socialiste kanë shkruar një letër drejtuar Kongresit të kësaj partie.

Në letrën e tyre, ata ndër të tjera kërkojnë mocion për reformimin e programit dhe statutit të PS.

Bëhet fjalë për Arta Dade, Irena Beqiraj, Nazmir Bilani, Përparim Bodinaku, Luan Zhegu, Maqo Lakrori dhe Eva Teqja.

Sipas firmëtarëve, PS duhet të jetë një parti me liri fjale dhe votim të ndershëm, ndërsa deklarojnë se kryetari nuk mund të jetë njëkohësiht edhe në postin e kryeministrit.

Por për ministren socialiste dhe njëherësh kryetare e PS së Tiranës Elisa Spiropali, kjo letër nuk ka rëndësi në asnjë rresht.

Ajo tha se tetë firmëtarët nuk janë delegatë të Kongresit, madje Spiropali jo vetëm e shpërfilli plotësisht letrën e firmosur, por për një ndër emrat më influencues në PS, atë të Maqo Lakrorit, tha se nuk e njeh fare.

E pyetur nga Mirela Milori në Abc Neës, Spiropali e habitur u shpreh se nuk e njihte Maqo Lakrorin, madje sipas saj, nuk e dinte nëse ai ishte në Partinë Socialiste apo jo. Ndërkohë, për Arta Daden tha se nëse mocioni gjente mbështetjen e delegatëve, kërkesa do të diskuitohej në Kongres.

"Nuk e njoh fare këtë. (flet për Maqo Lakrorin). Kush është? Se di fare të jetë fare në Partinë Socialiste njëherë. Kurse Arta Dade ka qenë një nga figurat më emblematike në PS. Nëse këto ide të saj zënë vend në Kongresin e PS përmes delegatëve të saj, do ta shohim’, tha ministrja Elisa Spiropali.

Sakaq, zv.kryeministri Erion Braçe në 15 janar të këtij viti, kur ka kujtuar themelimin e FRESH, shkruante se i ishte mirënjohës çdo burri dhe gruaje që iu hapi të rinjve në atë kohë, dhe atij vetë, derën e PS dhe u kujdes për ta. Mes emrave si Fatos Nano e Servet Pëllumbi, zv.kryeministri falenderon dhe Maqo Lakrorin.

Kujtojmë se në vitin 2009, i vetmi emër përballë Ramës në garën për kreun e PS, në zgjedhjet e kësaj partie, ishte pikërisht Maqo Lakrori.

/NOA.al