Transmetuar më 27-02-2020, 21:30

Presidenti Ilir Meta i është përgjigjur sërish sot Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Ministrja në një konferencë për shtyp, reagoi sot më herët ndaj akuzave të Kreut të Shtetit, si bashkëfajtore në atë që ai e quan grushti i shtetit për kapjen e Kushtetutës.

I ftuar në emisionin “Opinion”, Presidenti Meta e quajti Gjonajn “falsifikatore”, ndërsa tha se ajo duhet “të shkojë e të tregojë shokët te SPAK”.

“Si mund të merrem unë me një falsifikatore? Gjuha ime ka qenë shumë korrekte, ajo më ngatërron mua me gjuhën e Monikës, ata ta zgjidhin bashkë të dyja. Zonja të shkojë e të tregojë shokët te SPAK", theksoi Meta.

Sipas Presidentit, "nuk ka Shqipëria institucion më të rëndësishëm se Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata Kushtetuese, me këto filma që bën Dvorani dhe kjo zonja, e bën këtë Kushtetutë një letër pa vlerë".

"Presidenti i ka kapur në flagrancë, jo për meritë të Presidentit, se Presidenti i ka paralajmëruar që prej dy vitesh. I kamë thënë që te Gjykata Kushtetuese është vija e kuqe. Ky është krimi më i rëndë dhe më i thjeshtë për t’u hetuar se janë 3 letra dhe 8 veta për t’u pyetur".

"Ajo ka falsifikuar, më ka rrëmbyer mua kompetencën, ja ka rrëmbyer kompetencën KED-së. Nuk merrem unë me reagimet e saj. Ministren e ka “vrarë” që e ka porositur për të bërë këtë akt kriminal. E ka porositur ai që nuk e lejon të japë dorëheqjen”, theksoi Meta.

Presidenca bëri njëkohësisht publike edhe pretendimet e këtij institucioni, në atë që e quan "skema e manipulimit të botimit të aktit të KED në Fletoren Zyrtare", skemë të cilin Presidenti Meta e sqaroi në emisionin përballë Blendi Fevziut./NOA.al