Transmetuar më 28-02-2020, 01:26

Facebook po shtrëngon rregullat rreth postimeve që i referohen koronavirusit të ri, në një përpjekje për të zvogëluar keqinformimin dhe nxitjen e frikës rreth shpërthimit.

Rrjeti social ka filluar të ndalojë publikimet që përmendin dhe premtojnë një mënyrë trajtimi apo shërimi për koronavirusin, apo postimet që përpiqen “të krijojnë një ndjenjë urgjence dhe paniku”.

Një zëdhënës i Facebook u shpreh në një deklaratë për “Business Insider” se: “Së fundmi kemi implementuar një politikë për të ndaluar reklamat që i referohen koronavirusit dhe krijojnë një ndjenjë urgjence dhe frike, si për shembull ato reklama që garantojnë një kurë apo mënyrë të sigurt parandalimi, apo ato që deklarojnë se furnizimi i mjeteve mjekësore është i kufizuar”.

Facebook, ashtu si dhe shumë platforma të tjera teknologjike, aktualisht po ndeshet me një valë bisedash të panikosura dhe keqinformimi dashakeq rreth COVID – 19, sëmundjes së shkaktuar nga koronavirusi i ri që ka prekur më shumë se 80,000 persona në të gjithë botën dhe ka shkaktuar më shumë se 2,800 viktima.

Facebook përdor “fact-checkers” apo “kontrollues të fakteve”, që kontrollojnë pretendimet e dyshimta dhe vendosin nëse ato do të lejohen të publikohen apo jo. Që në fund të janarit facebook deklaroi se do t’i hiqte menjëherë informacionet false rreth virusit “që ishin shënuar si të tilla dhe nga organizatat kryesore botërore të shëndetësisë dhe autoritetet lokale të shëndetësisë, e që mund dëmtonin njerëzit që mund t’i besonin ato”.

Ndërkohë, përdoruesit e Facebook po kthehen drejt grupeve në rrjetin social për të blerë dhe shitur maska fytyre mjekësore, diçka që mund të rrezikojë të pengojë aftësinë e profesionistëve të mjekësisë për të luftuar shpërthimin.