Transmetuar më 28-02-2020, 02:30

Korona Virusin ose ndryshe virusi Sars-CoV-2 mundemi ta mbajmë larg nëse bëjmë kujdes në çdo çast për t’u vetëmbrojtur prej tij. Sipas institucioneve evropiane e botërore të shëndetit, korona-virus nuk transmetohet nga frymëmarrja.

Por ky virus transmetohet përmes prekjes së objekteve të infektuara, përmes ciklave të pështymës të njeriut të infektuar, me kollë apo teshtima apo me kontakte direkte, duke prekur gojën, hundën e sytë me duart e kontaminuara.

Ndaj këshillohet të mbulosh gojën dhe hundën nëse teshtin, të mbahen shamitë, e të lahen duart sa më shpesh me sapun apo alkool.

Një mesazh të tillë me këto detaje mbrojtëse për italianët në rrezik e dha në emër të RAI-edhe prezantuesi Amadeus.

Këshillohet madje të evitohen kontaktet me njerëz që janë me ethe, kolliten apo kanë të tjera simtoma të mushkërive. Të mbahet largësi një deri në 2 metra nga njerëzit që kolliten. Më mirë do të ishte që edhe kafeja të pihet në gota kartoni njëpërdorimshe.

Këshillohet të pastrohen mjediset kolektive me dezinfektantë me bazë klori apo alkooli e të përdoret maska vetëm nëse dyshohet se je i sëmurë apo gjendesh pranë njerëzve të sëmurë. Duke u mbajtur gjatë në fytyrë, maska bëhet anti-higjenike dhe shton praninë e viruseve.

Të mos merren barna anti-grip apo antibiotikë pa këshillën e mjekut. Edhe kush nuk i ka simptomat mund të transmetojë virusin, pasi simtomat e para duan 7-14 ditë të shfaqen apo edhe deri në 27 ditë në ndonjë rast. Ndaj kujdesi duhet gjithmonë.

Dhe e fundit… mos kini frikë nga kafshët shtëpiake, por nga kontakti i njeriut me kafshët e egra. Jo më kot sëmundja u përhap në një treg të kafshëve të egra të gjalla në qytetin kinez, Wuhan.