Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka sekuestruar pasurinë e Altin Hajrit në Shijak, i cili është në kërkim lidhur me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Pregës.
Gjykata konfirmoi sekuestron që vendosi Operacioni Forca e Ligjit, në kushtet e emergjencës, që ishte i pari dhe që më pas SPAK-u ia dërgoi GJKKO-së që i vendosi vulën sekuestrimit.
Në vendimin e gjykatës thuhet se Hajrit iu sekuestrua kompleksi Golden Resort në Xhafzotaj, karburanti “ALT- OIL 2008” dhe një vilë dy katëshe po në Shijak.
Vendimi i është dërguar për ekzekutim Agjencisë po sot dhe për njoftim Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Prokurorisë së Posaçme dhe Altin Hajrit.
Tashmë familja e Altin Hajrit mund të përdorë pa të drejtë tjetërsimi vetëm vilën ku banon.
Kompleksi ‘Golden’ në Shijak u kthye në skenën e krimit për Jan Prengën, i cili u rrëmbye më 17 janar 2020. Policia, me anë të pamjeve filmike, provoi praninë e trupit të tij në këtë kompleks në momentin kur nxirret dhe vendoset në një furgon për ta zhdukur, duke vendosur pas hekurave Leonard Hajrin, Bajram Hajrin, Elton Hajrin, Festim Bexhdilin, Olsi Turjan, si dhe Ardian Docajn nga Shkodra, i cili u vetëdorëzua, pasi iu sekuestrua pasuria në Shkodër. Ndërsa Altin Hajri është ende në kërkim nga policia.