Transmetuar më 28-02-2020, 11:45

Në Itali, një urdhër qeverie ka bërë që të ndalohet publikimi në media i rasteve të reja me persona të prekur nga koronavirus.

Agjencia italiane e lajmeve Ansa raportoi sot se autoritetet nuk do të publikojnë më nga kjo e premte 28 shkurt, shifra zyrtare mbi personat e prekur.

Sipas të njëjtit burim tani e tutje do të raportohen vetëm raste të rënda të njerëzve në rrezik për jetën dhe personat e vdekur.

Deri dje zyrtarisht ishte raportuar për mbi 650 raste dhe 17 persona të vdekur. Këto janë shifra të rritura progresivisht në krahasim me të shtunën e kaluar kur nisi furtuna italiane e koronavirusit.

Me censurën që qeveria italiane ka vendosur, synon të minimizojë humbjet e mëdha ekonomike që po përjeton aktualisht në gjysmën e vendit e pikërisht veriun e pasur që jep fitimet më të mëdha në vend.

Nga ana tjetër, autoritetet italiane deri tani kanë dështuar të gjejnë pacientin zero që pasoi qindra raste të reja me koronavirus. /noa.al/