Transmetuar më 28-02-2020, 12:21

Bashkëkryetari i komisionit për reformën zgjedhore, Damian Gjiknuri, në përfundim të tryezës së mesditës së sotme, bëri me dije se parimisht janë dakord për përfshirjen e sistemit elektronik, që nga identifikimi, votimi dhe numërimi i elektronik.

“Ne si mazhorancë do konsultohemi me ekspertët e ODHIR, por në parim, pjesa e identifikimit është vënë në dukje edhe nga opozita dhe ne jemi dakord. Kjo është qasja që ka mazhoranca dhe qeveria. Nëse kjo është e realizueshme, do bëjmë konsultime se është çështje teknologjie, do përfshijmë dhe organet e Këshillit të Ministrave por në parim ka qenë që parimet i vendosim në ligj dhe interpretimet ia lëmë organeve ligjzbatuese që merren me implementimin e kësaj procedure”, u shpreh Gjiknuri.

Ai tha se një nga qëllimet që është depolitizimi dhe teknologjia i vjen në ndihmë.

“Ditën e martë, PD do të sjellë paketën tjetër për çështjen e financimit dhe fushatës në media. Shumë shpejt do diskutojmë çështjet e reformës zgjedhore. Javën tjetër besoj do kemi të gjitha çështjet në tavolinë. Në dy javët e mbetura besoj do kemi konkluzion”, deklaroi përfaqësuesi socialist.

Nga ana e saj, deputetja opzitare Rudina Hajdari deklaroi se u diskutua për aplikimin e teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme.

Por ajo propozoi që kandidatët për deputetë apo kryebashkiak, duhet të verifikohen që të mos jenë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit.

“Është koha të hidhet ky hap, të ketë lustracion të kandidatëve për kryetarë të bashkive apo deputetë, nëse kanë qenë bashkëpuëtorë të sigurimit të shtetit. Është propozim polak, është hap i mirë për të cilin kemi pasur dakordësi”, tha Hajdari.

Ndërkohë, përfaqësuesi i LSI, Petrit Vasili deklaroi se u diskutua për identifikimin, votimi dhe numërimin elektronik, me synim shmangjen e manipulimit të votave. /a.y/noa.al