Transmetuar më 28-02-2020, 12:20

Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka kthyer për plotësim hetimesh një nga fraksionet e dosjes "339". Gjykata i ka dhënë SPAK 2 javë kohë për të saktësuar faktet për secilin prej të pandehurve.

Bëhet fjalë për 25 të pandehur, mes të cilëve Avdylajt e Shijakut dhe të akuzuarit për laboratorin e drogës në Has. Sipas gjyqtares paraprake, akuza e SPAK është e paqartë dhe ka nevojë për plotësim të hetimeve.

Sipas gjykatës prokuroria nuk ka individualizuar akuzat për të pandehurit, referuar episodeve kriminale. Dy prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi kërkuan që dosja të kalojë per gjykim.

Mes të akuzuarve të këtij procedimi janë edhe Astrit Balliu (alis Avdyli,Sulejmani), Altin Avdyli, Jasin Kala (alias Avdyli), Gjevi (alias Xhevahir) Ndoka.

Sipas hetimeve, ata akuzohen se kanë kryer trafik narkotikësh, përpunim e magazinim drogë në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, por edhe “Pastrim të produkteve të veprës penale’’, në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim.