Transmetuar më 28-02-2020, 18:14

Kongresi i Partisë Socialiste ka filluar punimet tre ditore me temën për gratë dhe nismën ‘Edhe një’. Një nga gratë e kabinetit qeveritar, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu është shprehur se qeveria socialisite ka pasur në vëmendje familjen dhe gratë duke shpalosur edhe arritjet në fushën e Shëndetësisë.

Më tej Manastirliu u shpreh se ka ende zona të Shqipërisë ku qeveria nuk ka shkelur sa i përket kësaj nisme duke pasur që ka ende dhunë ndaj grave. Ministrja u shpreh se fenomeni i dhunës ndaj grave në familje duhet të mbetet një e shkuar apo një kujtim i errët që nuk duhet të kthehet më.

"Përshëndetje të dashura vajza dhe gra, zonja të nderuara. Një sallë e mbushur me një energji kaq frymëzuese është konfirmimi më i mirë i zgjedhjes që kam bërë unë dhe mijëra gra për tu bërë pjesë e diçkaje shumë të bukur, të grave të partisë socialsite. Një familje e mbushur me nëna të dhembsura, me gra të përkushtuara, me vajza ambicioze. Nisma jonë Edhe një nuk është një slogan kongresi, por është një thirrje kuptimplotë për të thirrur edhe një vajzë, edhe një grua edhe një nënë. Kjo thirrje ka për busull vlerat europiane, të ndërtojmë Shqipërinë që duam.

Shumë gra dhe vajza duhet të ishin shumë këtu. Ka ende zona ku nuk kemi shkelur, të përmbysim mentalitetin mbytës. Vuajmë ende epideminë e dhunës tregon se nuk kemi bërë maksimumin e përpjekjeve. Jam besimplotë se nëse mbështesim njëra- tjetrën dhe fuqizojmë përpjekjet atëherë dhuna barbare ndaj grave do të mbetet një e shkuar që nuk duhet të vijë kurrë më. Fuqinë për ndryshim e kemi brenda dhe s’duhet ta kërkojmë diku tjetër”, tha Manastirliu.

Ndërsa më herët deputetja socialiste Lindita Nikolla u shpreh se falë nismës së PS-së ‘Edhe Një’ numri i vajzave dhe grave në partinë Socialiste është rritur me 10%. Ish-ministrja ka dënuar dhunën verbale të kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi kundër ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj pak ditë më parë.

"Nisma ‘Edhe një’ e rriti me 10% numrin e grave në parti. Do të kërkoja Partia Socialiste ka besuar dhe investuar te gratë, ndaj edhe unë, pyesim veten, çfarë kam bërë që politika që qeverisja të jetë më e mirë dhe më e hapur. Pse duhet të besojnë njerëzit te gratë. A pret shoqëria nga ne, që të jemi shembull. Iu bashkova PS-së në vitin 2003 si këshilltare. Nuk thashë asnjë fjalë për baltën dhe poshtërsitë që të godasin pa limit.

Nuk flas për baltën sepse frigohem se mos kthehen në barrierën e parë për shumë gra dhe vajza që duan të jenë pjesë e politikës. Përgjigja jonë nuk do të jetë me të njëjtën monedhë. Nuk ka tradhti më të madhe që i bëhet kauzës dhe misionit tonë nga dhuna verbale dhe vulgariteti sikur vjen nga gratë e politikës, si rasti i ditëve të fundit ndaj ministres së Drejtësisë. Do të ngremë zërin për problemet tona. Do të bashkëpunojmë me burrat por edhe do të përballemi me ata" tha ajo.

Edhe deputetja Eglantina Gjermeni në fjalën e saj para kongresit të socialistëve e vendosi theksin te gjuha agresive në politikë, konkretisht duke dënuar sulmin e Monika Kryemadhit kundër ministres Gjonaj që e cilësoi si ‘Halabake rrugësh’.  "Rasti i fundit është sulmi që i bëhet ministres së Drejtësisë, të gjitha ndihemi keq. Të gjithë ne, gra dhe burra duhet të jemi kundër këtij modeli të të bërit politikë. Gjuha agresive e politikës projektohet dhe përbën një model negativ për jetën e përditshme. Agresiviteti përçohet në sjellje e qëndrime agresive. Kemi nevojë për një qasje tjetër. Secili prej nesh duhet të kontribuojë për këtë gjë".

Gjermeni u ndal edhe te dhuna dhe vrasjet e grave, ndërsa kishte edhe një kërkesë për kryeministrin Edi Rama. "Ndihem e tronditur nga rastet e fundit kur merren jetët e grave. Dhuna ndaj grave mbetet një shenjë turpi për shoqërinë. Unë them se çfarë po bëjmë ne për ta parandaluar? Kemi ligje të mira, por duhet të bëjmë më shumë për ti zbatuar. Besoj se me nismën e fundit për largimin e dhunuesit nga banesa për përfshirjen në programe rehabilituese, rritjen e dënimit për dhunuesit do të ndikojë më shumë për parandalimin.

Por vetëm ligjet nuk e ndalojnë dot dhunën. Kemi nevojë për shumë ndërgjegjësim. Na duhet të gjithëve të kontribuojmë. Zoti Kryeministër u kërkoj që kjo cështje të shikohet si prioritare nga institucionet. Të gjithë duhet të kemi një mision të përbashkët. Duhet të jemi bashkë, parlamenti, qeveria, shoqëria, media dhe sektori privat. Në fund dua të falenderoj të gjithë kolegët burra për mbështetjen dhe në mënyrë të veçantë Ramën për besimin ndaj grave, të sektorëve kyçë", tha ajo./b.l/noa.al/