Transmetuar më 28-02-2020, 18:37

Rritet bilanci i të vdekurve nga koronavirusi në Itali. Para pak minutash numri i të vdekurve ka shkuar në 21 dhe atyre të infektuar në 821.

Lajmin  ka bërë të ditur gjatë një konference për shtyp Angelo Borrelli, komisionari për mbrojtjen civile në Itali.

Ndërkohë, janë 345 persona që po kurohen në spital, ndërsa 422 të tjerë janë duke u kuruar në shtëpi. 64 prej të prekurve janë në terapi intensive.

Nga ana tjetër, deri më tani ekzistojnë 151 raste me koronavirus në Veneto, sipas përditësimit më të fundit të lëshuar nga ky rajon.

Shpërthimi më i madh me të prekur mbetet ai i Vo ‘Euganeo, me 70 raste, i ndjekur nga Treviso me 23, pastaj Venecia me 10, Limena me 9, Milano me 5 dhe Vicenza me 3.

Më herët gjatë kësaj të premte, Organizata Botërore e Shëndetësisë është shprehur se rreziku ndaj koronavirusit është ngritur nga “i lartë” në “shumë i lartë”.

Ky vlerësim është bërë pas rasteve të shumta që janë prekur nga ky virus në të gjithë botën dhe shpejtësinë me të cilën po përhapet koronavirusi. Momentalisht ka mbi 83 000 persona të prekur dhe mbi 2800 vdekje./b.l/noa.al/