Transmetuar më 28-02-2020, 22:02

Tirana fitoi bindshëm në derbi me Partizanin me rezultatin e thellë 5-1.

Pas ndeshjes drejtori sportiv i Partizanit, Olsi Rama, është shfaqur i irrituar me mënyrën sesi gjyqtarët e menaxhuan atë, pasi dhanë dy 11-metërsha dhe la të kuqtë me 10 lojtarë që në pjesën e parë.

“Për një vendosje dore në shpatullën e Torasës, u dha një karton i kuq. Më thoni kur e keni parë? Që ta di dhe unë, se po mësoj dhe unë futboll. E filluam ndeshjen shumë mirë. Por siç e thashë ndeshja u vendos në mënyrë arbitrare nga një arbitër inkopetent. Nuk e di kush e mori vendimin”, tha Olsi Rama në reagimin e tij.

“Nuk e di si arbitri mbrapa porte mund t’i thotë arbitrit kryesor jep karton të kuq. Ku e keni parë, ma thoni që ta di dhe unë. Derbi vlen 3 pikë si të gjithë ndeshjet e tjera. Do ishte e bukur të fitonim për moral, por nuk fituam dot. I falëm Tiranës ndeshjen”, shtoi drejtuesi i Partizanit. Kjo humbje e lë Partizanin 9 pikë pas Tiranës, që kryeson bindshëm. Trajneri i Partizanit pritet të marrë ose jo nesër votëbesimin pas humbjes.

Atmosferë krejt e ndryshme është në kampin bardheblu.

Tirana edhe pse mundi Partizanin me rezultatin 5-1, në përfundim të sfidës trajneri Emanuel Egbo është shprehu i lumtur për suksesin por theksoi se skuadra nuk luajti mirë.

“E kemi filluar ndeshjen shumë keq, por loja ndryshoi shumë pas kartonit të kuq. U tregova i qetë edhe pas golit të pestë, sepse jam besimtar në Zot dhe nuk besoj te asnjëri tjetër, duhet të tregohesha kështu”, tha Egbo.

“ Pavarësisht se fituam 5-1 nuk jam i kënaqur sot, pasi nuk kemi luajtur mirë. Do ta diskutojë me ekipin pasi Partizani kishte një lojtar më pak, por ka luajtur si i barabartë. Për mua kjo ka qenë një nga ndeshjet tona më të dobëta deri tani”, shtoi ai.

Egbo tregohet po aq modest edhe me kundërshtarin.

“Nuk mendoj se e nxorëm Partizanin jashtë titullit, është rrugë e gjatë. Nuk mund të them që kemi fituar kampionatin tani. Jo jo, tani të përqendrohemi te ndeshja e radhës dhe t’i marrim një nga një. E përgëzoj Partizanin për shpirtin e garës që kanë treguar. Kjo është Superiorja më e bukur që kam parë që kur kam ardhur në Shqipëri pasi të hapin të gjitha ekipet probleme”, theksoi trajneri i Tiranës, pas fitores në derbi.

Bardheblutë kanë pesë pikë me shumë se Kukësi i vendit të dytë, por verilindorët nuk e kanë luajtur ende ndeshjen e javës së 24-ët.