Transmetuar më 28-02-2020, 22:24

Avokati i njohur Spartak Ngjela shprehet i habitur për arrestimin e gazetarit, botuesit dhe themeluesit të UET, Henri Çilit.

Dikur ata ishin edhe miq, por megjithatë, Spartak Ngjela thotë se mirë është që ligjet të mos shkelen, megjithatë pranon se nuk e priste që Henri Çili të vihej përballë akuzave kaq të rënda.

“U habita po ato që dëgjova pjesërisht në media ishin të rënda. Unë dëgjova provat që dha prokuroria me policinë. Janë të rënda, po i ka bërë mendje lehtë, çdo gabim ka kosto. Të përballet dhe le të fitojë. Janë apo nuk janë të vërteta e cakton një vendim gjyqësor. Në kapitalizëm krime të tilla ndodhin. Mirë është të mos shkelen ligjet, por ata që i shkelin duhet të përballen”, tha Spartak Ngjela, në Ora news.

Henri Çili u arrestua gjatë një operacioni policor gjatë mbrëmjes së djeshme dhe mbi të rëndojnë 6 akuza.

Ai dyshohet të ketë premtuar se do  të ndikonte në Gjykatën e Lartë për të liruar dy vëllezërit Arbion dhe Alban Aliko, të dënuar si pjesë e grupit të zjarrit që vranë efektivin e RENEA-s,  Ibrahim Basha, në operacionin e qershorit të vitit 2015 në Lazarat.

Çili akuzohet për “Fshehje e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.

/NOA.al