Transmetuar më 29-02-2020, 00:52

Pagat e ulëta dhe përkushtimi në punë ka bërë që shumë kompani shqiptare të orientohen drejt tregut afrikan të punës. Nga ana tjetër edhe punëtorët afrikanë janë të kënaqur me Shqipërinë, pasi krahasuar me vendet nga vijnë pagat janë më të kënaqshme.

Kenneth Egesi dhe Izu po firmosin kontratën e tyre të punës, për t’u shpërngulur në Shqipëri. Një punë në ndërtimin e anijeve me një rrogë prej 300 eurosh me ushqim dhe fjetje të paguar, kanë joshur dy nigerianët.

“Fatmirësisht dëgjova diku që mund të punoj në Shqipëri, aplikova nëpërmjet agjencisë për t’i bërë gjërat më të thjeshta. Kemi fjetjen dhe ushqimin e përfshirë, gjithashtu edhe taksitë për të lëvizur në qytet falas” tha Kenneth Egesi.

Nigerianët

Izu tregon se në fillim ai nuk e njihte Shqipërinë.

“Kur dëgjova fillimisht për Shqipërinë nuk e dija as ku i binte në hartë, por kur erdha këtu pashë se ishte shumë mirë”, tha ai.

Në krahasim me Nigerinë, Shqipëria ka paga shumë më të kënaqshme.

“Në Nigeri paga mesatare është diku te 40 mijë naira, ose e kthyer në euro, i bie rreth 100 euro në muaj”, tha ai.

Agjencitë e punësimit tregojnë se kohët e fundit është shtuar fluksi i personave të huaj që duan të punojnë në Shqipëri

“Aplikimet i kemi nga një rrjet i gjerë vendesh nga Afrika e Veriut, Afrika e Jugut, kemi nga Sri Lanka, Nepali, Filipinet, kemi edhe nga Gjeorgjia”, u shpreh Ermal Jauri, drejtor ekzekutiv i agjencisë së punësimit “Europë Agency”.

Pagesat e ulëta dhe përkushtimi në punë ka shtyrë kompanitë shqiptarë që të kërkojnë punëtorë të huaj.

“Kompanitë vendase sot kanë gjetur një zgjidhje ideale për shkak dhe të rendimentit në punë. Punëtorët e huaj janë mësuar me një kulturë punë, ku paguhen me orë punë dhe jo me paga bazë siç e kemi ne në Shqipëri”-theksoi ai.

Por dhe të huajt nga ana e tyre janë të kënaqur me punën në Shqipëri.

“Ka një tej masë pozitiv në radhë të parë për shkak të mikpritjes që kombi ynë ka, Ato janë mësuar të punojnë në vendet e ndryshme të botës, ku kërkesa e llogarisë është në masën më ekstreme të mundshme”- shtoi z. Jauri.

Në listat e agjencive janë me qindra persona nga Afrika në pritje për të ardhur dhe për të punuar në Shqipëri.

“Do ua sugjeroj Shqipërinë edhe njerëzve të tjerë që kam në Afrikë, është një vend që është në rritje dhe njerëzit mund të bëjnë progres gjithashtu. Të jep mundësinë për t’u bërë një njëri më i mirë”, u shpreh Kenneth Egesi./ Euronews