Transmetuar më 29-02-2020, 01:03

Pronari i Universitetit Europian të Tiranës dhe botuesi Henri Çili u arrestua mbrëmjen e djeshme.

Policia tha se kishte nisur një operacion pas urdhër-arresteve të lëshuara nga Prokuroria e Përmetit me akuzën për ndikim të paligjshëm ndaj një gjyqtari për lirimin e një personit të dënuari. Bëhet fjalë për ndikim ndaj një gjyqtari.

Nga hetimet është zbuluar një rrjet i tërë personash të përshirë. Nga prokuroria janë bërë muaj të tërë hetime e vëzhgime. 7 urdhër-arreste janë ekzekutuar në Tiranë e Përmet.

Janë shoqëruar dhe persona të tjerë që mund të kenë dijeni për ngjarjen si dhe janë bërë dhe kontrolle banesash. Po kështu është ushtruar kontroll dhe në universitetin që drejtohet nga z. Çili, Universiteti Europian i Tiranës, për të gjetur personin në fjalë, i cili më pas është lokalizuar në banesën e tij, ku dhe i është bërë i ditur urdhri i arrestit.

Fillimisht është bërë shoqërimi i tij në policinë e Tiranës dhe më pas është dërguar në Policinë e Gjirokastrës. Procedimi ka nisur që në shtator 2019, për akuza si ushtrim i paligjshëm i ndikimit te organet e drejtësisë, mashtrim, falsifikim, pastrim parash.

Dosja e prokurorisë

Henri Çili ra në rrjetën e drejtësisë, ndërsa prokuroria e Përmetit kishte nisur hetimet për një episod transporti lëndësh narkotike nga Shqipëria në Greqi. Mes personave të përfshirë, në këtë hetim, në faza të ndryshme, falë përgjimeve, ishte dhe Gazmir Ajdini, vëllai i bashkëjetueses së Çilit, një person me precedentë të mëparshëm penal. Pikërisht bisedat e Ajdinit me botuesin dhe opinionistin Çili, zbuluan, sipas dokumentave të prokurorisë, përpjekjet e këtij të fundit për të kërkuar favore pranë sistemit të drejtësisë, për të paktën dy raste. Bëhet fjalë për dy vëllezërit Arbjon dhe Alban Aliko, i pari i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i dyti me 18 vite burg, me vendim të formës së prerë, për vrasjen e një efektivi të policisë në Lazarat, gjatë aksionit të vitit 2015 kundër kultivimit të marijuanës. Po ashtu dhe, në një tjetër rast, për një të dënuar tjetër po me burgim të përjetshëm. Në të dyja rastet, sipas prokurorisë, rezulton se Çili ka marrë para në këmbim të shërbimit që ai do të kryente.

Ai së bashku me disa të tjerë, thuhet se ka marrë një shumë prej 30 mijë eurosh nga familjarët e të dënuarit me burgim të përjetshëm, ndërsa për vëllezërit Aliko, rezulton të jenë marrë 250 mijë euro ndërsa 500 mijë të tjera në formë pronash të paluejtshme. Fillimisht dyshohet se biseda me Adil Alikon, babain e dy vëllezërve Aliko është kryer nga Ajdini, me ndërmjetësinë e të cilit më pas, Adili dhe është takuar me vetë Çilin, ku sipas prokurorisë është rënë dakort dhe për shumën prej 750 mijë eurosh.

Adil Aliko ka biseduar më pas me biznesmenin Sait Fishta, i cili duket se i ka ardhur atij në ndihmë për pjesën tjetër që duhet të ofronte, duke i dhuruar Çilit, në fillim të Janarit të këtij viti, dy prona në Velipojë. Fishta gjithashtu, së bashku me Adil Alikon janë në mesin e listës të të arrestuarve, sikundër dhe Ajdini apo dhe një avokat, drejtori juridik i Universitetit Europian, sui dhe një notere.

Dokumentat e hetimit nxjerrin në pah faktin se në mesin e muajit janar, në mjediset e një hoteli në Tiranë, Çili rezulton të ketë biseduar me drejtuesin e një organi të lartë të Drejtësisë të cilit i ka kërkuar që të ndikojë që të trajtoheshin sa më shpejt rastet e të dënuarve për të cilët ai kishte marrë përsipër të ndërhynte. Funksionari i drejtësisë nga ana e tij mësohet t’i ketë premtuar se dosjet e tyre do të jenë mes 50 të parave.

Duke qenë se bëhet fjalë për dosje që ndodhen në Gjykatën e Lartë, vëmendja mediatike u përqëndrua te gjyqtari i vetëm i kësaj Gjykate Ardian Dvorani. Ky i fundit mohoi sot në mënyrë kategorike të jetë përfshirë në këtë histori. “Për një gjë jam i sigurtë, që kjo dosje nuk është trajtuar me prioritet, sepse me kompetencat që ushtroj për momentin, si drejtuesi i Giykatës së Lartë, nëse çështja do përshpejtohej, e para kush do ta shqyrtonte? Dhe nëse këshilltari do ta merrte për ta parë dosjen me prioritet, atë do ta merrte me firmën time”, shpjegoi zoti Dvorani për gazetarët duke mohuar të ketë patur biseda të cfarëdollojshme me Çilin. “Nuk e di kur mund ta kem përshëndetur shumë muaj më parë zotin Çili”, ju përgjigj zoti Dvorani pyetjeve nëse kishte komunikuar me botuesin apo ishte takuar me të.

Mbetet mister se kush është funksionari i lartë i drejtësisë dhe pse nuk është vepruar ndaj tij, duke qenë se më së paku ai mund të dyshohet për moskallëzim të krimit për ndërhyrjen që ka patur nga Çili, i cili përfundoi në pranga edhe për këtë episod. Sipas hetimeve, botuesi Çili, dyshohet për të paktën 6 vepra penale: “Fshehja e të ardhurave”, “ Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Mashtrimit”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave qe ushtrojnë funksione publike” dhe “Falsifikimi dokumenteve” në bashkëpunim.

Çfarë thotë Dvorani

Ardian Dvorani pasi raportoi në Komisionin Hetimor Parlamentar, i është përgjigjur pyetjes së gazetarëve për dosjen Aliko, për të cilët janë arrestuar Henri Çili dhe vëllai i bashkëjetueses së tij Gazmir Ajdinaj i cili e implikoi Çilin për të liruar ekzekutorët e efektivit Ibrahim Basha.

Alikot bënë rekurs në Gjykatën e Lartë dhe Ardian Dvorani si i vetmi anëtar i Gjykatës së Lartë u caktua relator i çështjes. Dvorani thotë se dosja Aliko nuk është trajtuar me prioritet, pra nënkutpon se as është cekur nga ai vetë pasi nuk i ka ardhur një kërkesë për procedurë të përshpejtuar.

Por më pas sa i përket kontakteve të tij me Henri Çilin, i cili akuzohet për ndikim të paligjshëm tek zyrtarët pikërisht për të liruar vëllezërit Aliko, Dvorani shprehet se e njeh personalisht por nuk ka kontakte me të madje ka disa muaj që nuk e has personalisht as në ndonjë event.

‘Në Gjykatën e Larë unë jam i vetmi në detyrë., dhe në sistemin tonë 35 mijë çështje janë me relator Ardian Dvoranin. Këshilltarët që janë në detyrë përgatisin dosjet në mënyrë që gjyqtarët që emërohen t’i përballojnë. Meqenëse Gjykata e Lartë nuk funksionon, në rastin tim është kategorike.

Z.Çili e njoh, nuk jemi miq, në evente të caktuara por s’kam asnjë kontakt.

Kjo dosje nuk është trajtuar me prioritet, sepse në kompetencat si kryetar i Gjykatës së lartë e para kush do e gjykonte, e dyta gjyqtari që ta merrte me prioritet do e merrte me firmën time.

Në dijeninë time nuk ka gjë në lëvizje, është një çështje e ngritur në 2019, nuk bëhet fjalë, nuk jam në dijeni për një çështje. Z. Çili nuk e di kur mund ta kem takuar para disa muajsh më parë.’- tha Dvorani.

Dvorani ka pranuar se është takuar me Çilin dhe kjo përbën një fakt edhe më të rëndë se vepra penale për të cilën akuzohet Çili sepse Dvorani ka pranuar se i është bërë pazari për të ndikuar në lirimin e personave në fjalë dhe Dvorani këtë fakt nuk e ka denoncuar.

Nëse përë këtë ndërhyrje arrestohet Çili, disa shtrojnë pyetjen si është e mundur që nuk arrestohet njeriu kryesor i këtij pazari me të cilin është takuar Çili?