Transmetuar më 29-02-2020, 01:48

Numri i viktimave në Itali nga koronavirusi, arriti në 21 ndërsa 821 është numri i të prekurve. Ndërkohë numri i të shëruarve vetëm në Itali është 45.

Covid-19 është përhapur në të gjithë botën, edhe në vendet që më parë nuk janë raportuar raste.

Zelanda e Re ka konfirmuar rastin e saj të parë, ku një person që ishte kthyer së fundi nga Irani, ka rezultuar pozitiv.

Bjellorusia, Hollanda dhe Lituania kanë konfirmuar gjithashtu rastet e para të të prekurve me virusin e frikshëm.

Ndërkohë, Koreja e Jugut konfirmon 256 raste të reja, duke e çuar shifrën në mbi 2000 persona.

Gjithashtu në Kinë, janë infektuar 327 persona të tjera, por kjo tregon se ka një ulje të përhapjes së koronavirusit në vendin ku shpërtheu dhe shkaktoi shumë viktima.

Autoritetet në Danimarkë komunikuan raportuan një ditë më parë rastin e parë të koronavirusit, i cili ishte një burrë që kishte vizituar Italinë.

Po ashtu edhe Rumania ka zbuluar pacientin zero, një 20- vjeçar që punonte në një restorant italian.

Edhe në Estoni është konfirmuar një rast i parë, një person të kthyer nga Irani.

Greqia dhe Maqedonia e Veriut kanë konfirmuar rastet e para të koronavirusit, të kthyer nga Italia.

Po ashtu edhe Gjeorgjia, ndërsa Finlanda ka konfirmuar rastin e dytë të koronavirusit. Në Bruksel, ndërkohë, eurodeputetët që kanë vizituar në 14 ditët e fundit katër rajonet italiane të konsideruara në rrezik, do të vendosen në karantinë 14-ditore.

Arabia Saudite ka ndaluar pelegrinët e huaj të hyjnë në vend për pelegrinazhin e përvitshëm në Mekë, duke thënë se nuk do që të kthehet në një Iran të dytë.

Në Francë, numri i infeksioneve rritet nga 18 në 38, brenda 24 orëve, siç u njoftua nga ministri i Shëndetësisë. Ndërkohë në Irlandën Veriore është konfirmuar rasti i parë nga Agjencia e Shëndetit Publik në Dublin.

Një qytet në Britani, Buxton, është izoluar pasi nga pushimet u kthye një prind që rezultoi pozitiv me koronavirus. Ai kishte qenë në Tenerife, në hotelin ku qëndronin bashkëshortët italianë që ishin të prekur nga virusi.

Të enjten u konfirmua se zëvendës presidentja e Iranit është diagnostikuar me koronavirus.  2,859 viktima dhe 83,385 të infektuar, ky është bilanci i koronavirusit në të gjithë botën.