Transmetuar më 01-03-2020, 11:30

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj iu përgjigj akuzave të kreut të qeverisës së Shqipërisë, Edi Rama, duke theksuar se është i frustruar ndaj tij për shkak se prishi planet për Serbinë e madhe.

Madje, Haradinaj thotë se Rama po zbaton këshillat e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov pas vizitës në Moskë pak ditë më parë në cilësinë e drejtuesit të OSBE-së.

“I kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj meje. E di që nuk ma fal dot që ia prisha planin serbomadh. Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit.

Uroj që Kryeministri Kurti të vazhdojë rrugën time të bllokimit të shtegut të Edi Ramës e të tjerëve për copëtimin e Kosovës dhe fuqizimin e Serbisë e Rusisë në rajonin tonë, duke mbajtur taksën deri në kontratën finale për njohje. Të tjerat janë tashmë histori”, shkruan Haradinaj.

Ndërsa më herët Rama shkroi se: "Me paturpësi Ramushi ka nisur baltosjen e Albin Kurtit! Albini mund të jetë gjithçka po kurrë nuk është shërbëtor i Serbisë! Uroj të mos tutet prej sulmeve të ulëta për heqjen e taksës që shkatërroi reputacionin ndërkombëtar të Kosovës dhe viktimizoi Serbinë në sytë e botës!".

Më tej z.Rama vijon sulmin ndaj Ramushit duke e quajtur deri edhe idiot: "Kurrë nuk është dëgjuar një idiotësi më e madhe se sa predikimi që taksa do sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia dhe asgjë s’i ka bërë më shumë dëm Kosovës, se sa ajo taksë e kthyer nga një thirrje për vëmendje ndaj shkeljeve të CEFTA-s nga Serbia, në një litar në fytin e Kosovës!".

Për Edi Ramën, Albin Kurti është në rrugën e duhur! "Heqja e taksës do jetë dita e parë e tij si kryeministër në zyrë, jo më si lider opozite në zyrën e kryeministrit! Do t’i duhet të përballet me etiketën e “tradhëtarit” po ani, ajo etiketë i dallon udhëheqësit e paqes nga statujat e luftës"./b.l/noa.al/

Rama merr në mbrojtje Albinin, sulmon keq Ramushin, e quan idiot. Çfarë po ndodh?