“Na dhunon, kam frikë ta mbaj në shtëpi”, nëna: Më ndihmoni të kuroj tim bir, është i varur nga droga
Transmetuar më 03-03-2020, 18:02

Në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në News24 ka ardhur sot rrëfimi i trishtë i një 50-vjeçareje nga Burreli. Dashurie Çili është martuar dy herë me shkuesi dhe ka sjellë në jetë 3 djem, të cilët janë të rritur. Por djali 25-vjeçar dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor dhe këtë gjë prindërit nuk e kanë kuptuar në kohë. Pas gjashtë vitesh martesë, prindërit e tij biologjikë vendosin të ndahen pasi nuk gjejnë mirëkuptim, duke vështirësuar edhe më shumë komunikimin e nënës me të.

Në gjimnaz, Arbri ndjek rrugë të gabuar, fillon të konsumojë lëndët narkotike, por jo vetëm, bëhet dhe vartës i tyre. Nëna e tij do ta mësojë këtë vërtetë kur shkolla vendos ta përjashtojë për mungesë frekuentimi dhe sjelle jo të mirë. Kështu djali ndërpret shkollën dhe çdo ditë e më shumë bëhet vartës i drogës, duke shtuar konfliktet në familje, përdor gjuhë agresive me nënën dhe ndiqet penalisht nga drejtësia. Për herë të parë kapet me drogë në moshën 18-vjeçare dhe dënohet 4 muaj. Kjo gjë bëhet e rrugës dhe me 22 gusht të 2018-ës e akuzuan për shitje, tregtim dhe kultivim, duke u dënuar 11 muaj.

50-vjeçarja Dashurie Çili përballë autores Evis Ahmeti, ndau momente të vështira me djalin dhe martesat e saj. Ajo kërkon rehabilitim të tij sa më shpejt.

“Nuk kam dashur ta besoj asnjëherë por ishte e pamundur ai nuk më dëgjoi. Me babain e Arbrit nuk shkoja mirë dhe u ndava. E ndava me neverinë më të madhe kur Arbrin e shtrova në spital dhe ai nuk mori rrugën sikur edhe në këmbë të pyeste se si ishte gjendja e këtij fëmije. Pasi unë nuk kam asnjë mundësi, ato lekë që mu mblodhën në spital shkova hapa gjyqin. Kisha frike sepse përdorte dhunë. Unë mora lekët e mbledhura nga spitali, 26 mijë lekë dhe shkova hapa gjyqin, fëmijët ishin të vegjël, nuk kanë qenë të lidhur fare me babain e tyre.

Në orën 10 të darkës ai erdhi në derë kur mori vesh njoftimin e ndarjes dhe ushtroi dhunë edhe pse fëmijët i mbajta unë, pasi mora vendimin e gjyqit në vitin 2000 unë i dhashë një shans tjetër por ishte e kotë. Qëndruam ashtu të divorcuar por bashkë, por kur Arbri ishte 5 vjeç u ndamë. Unë pas ndarjes shkova në Burrel por jeta u bë e vështirë. Më ndihmonte mamaja ime por ishte e pamundur. Ndenja 2 -3 vjet e divorcuar më prezantuan me dikë që kishim lidhje miqësore, u njoha bëra kurorën me të por edhe kjo dështoi, nuk ishte një martesë ashtu si unë e mendoja. Arbri nuk e deshi asnjëherë as ai Arbrin, njerku ngeli njerk.

Lindëm një fëmijë me atë. Unë kam kuptuar shumë shpejtë që Arbri merrte drogë në moshën e klasës së nëntë, por shpresoja se do largohej nga kjo gjë u mundova ta fusja dhe në të mesmen por nuk munda ai iku. Dyshoja sepse ai prekte gjëra në shtëpi dhe në shkollë nuk shkonte, doli nga rruga, nuk më dëgjoi. Marrëdhënia me babain s’ka qenë fare, ai ka pas lidhje me mua dhe njerkun, e kërkonte Arbri babain por nuk e takonte, herën e dytë që është kapur është kapur në Sarandë te babai vet. Edhe pse e largoja ai vazhdonte ta merrte drogën. Divorci çfarë nuk bën. Vëllai nuk më ka ndihmuar nuk më ka prishur punë.

Të dy djemtë nuk më duan fare, një fëmijë që nuk të dëgjon, fëmijët janë për vete unë sot dua të jem kjo që jam, sot kam marrë vendimin që Arbri të rrijë me mua, në qoftë se burri që kam në krevat nuk më dëgjon edhe t’i them edhe Arbrit. Arbri u dënua tre herë nga drejtësia shqiptare, jam munduar ta ndihmoj me çdo kusht, i kam humbur shpresat. Me Arbrin dhe djalin tjetër janë prishur marrëdhëniet. Arbri ka rregulluar marrëdhëniet me babain e tij. Me bashkëshortin e dytë nuk u divorcova e mendova ndryshe këtë martesë të dytë por nuk ishte ashtu. Por marrëdhënia me fëmijët nga ana e atij nuk ishte e mirë, ai ishte diabetik dhe kalonte në ekstrem nuk duronte dot”, rrëfeu gruaja.

Ajo tregon dhe për dhunën që ka pësuar nga djali i saj, çështje që shkoi deri në polici. “Arbri bëri zhurmë te shtëpia dhe më dhunoi, ai bënte dhunë me të gjithë por mua më goditi. U lajmërua policia nga komshinjtë dhe erdhën. Shkuam në polici dhamë deklaratë dhe na premtuan se do e trajtojmë por asgjë. Unë kërcënohem nga Arbri sepse nga ai çfarë nuk pret, falënderoj ata të punës se ata më besojnë sepse unë jam gjithë kohës në ankth se mos Arbri ka bërë diçka mua, bashkëshortit dhe djalit 13- vjeçar, sepse pi dhe alkool dhe bëhet përbindësh.

Unë nuk e di ku i gjen lekët, i jap për të ngrëne atë që hamë të gjithë, 200 mijë marr unë nga puna dhe 200 burri, edhe burri vuan dhe i shërbej sepse edhe ai është i sëmurë. Unë me Arbrin nuk mund të jetoj dot ai është me të drejtë paraqitje, sepse unë kam dashur ta nxjerr nga burgu por nuk jam penduar që e kam nxjerr. Kam kërkuar ndihmë nëpër shoqata, por nuk kam gjetur ndihmë, rruga e tij ka qenë kapu e dëno. Të gjithë ndihen të rrezikuar në shtëpi, sepse ai mund të bëjë bëjë skandal, dua ta nxjerrë jashtë asaj shtëpie sepse unë nuk kam çfarë bëj më. Në 2015 ka qenë në Shkodër i shtruar, atje m’i kanë dhënë dokumentet. Besova shumë te Arbri”, deklaroi nëna e të riut.

Irena Marko, Mjeke Toksikologe QSUT tha se kemi të bëjmë me një person që ka çrregullime mendore dhe të marrjes së lëndëve narkotike. “Na duhet një rivlerësim tjetër i Arbrit patjetër, sepse duhet një bashkëpunim midis mjekut toksikolog, atij psikolog dhe psikiatër. Mendoj se pasi të bëhet një vlerësim i pacientit do dali një konkluzion për pacientin se në çfarë shkalle është sëmundja dhe çfarë do të na duhet më tej”, tha Marko.

Mjekja e Shkodrës Eridjana Rusi premtoi për bashkëpunim në këtë rast.  “Përshëndetje, i jam referuar kartelës personale, Arbri ka ardhur si referim nga QSUT. Ai ishte një pacient i narkotikës, ka pasur shtrim këtu por më vonë ka dalë dhe nga ai moment nuk jemi njohur më me rastin, nëpërmjet dokumenteve të spitalit tonë e kam njohur. Nuk do të mungojë bashkëpunimi jonë dhe ndihma jonë, vetëm do na duhet një plan bashkëveprimi”, deklaroi mjekja Rusi.

Loading...