Transmetuar më 08-03-2020, 13:06

8 marsi ynë nuk mund të jetë festë, për sa kohë nuk është festë as për fëmijët që sot nuk e kanë nënën e tyre, të vrarë prej paburrërisë e burracakërisë shqiptare!

Edhe me kanun kisha dhe gruaja perjashtohen nga gjakmarrja, kisha dhe gruaja nuk merren në be.

Nga Luan Rama

Jo prej historisë se si u shenjua 8 marsi ndër kalendaret e vendeve të ndryshme të botës e se si shpall dita ndërkombëtare e grave, po prej realitetit që ofron shoqëria shqiptare, sot 8 marsi ynë nuk mund e nuk duhet të jetë ditë feste, që për ironi na vjen si e tillë prej traditës komuniste!

8 marsi ynë sot duhej të ishte ditë dhimbjeje!

Duhej të ishtë ditë dhimbjeje dhe revolte bashkë, për të gjitha gratë e vrara, të dhunuara e të poshtëruara!

Duhej të ishte ditë-homazh për gratë që nuk jetojnë më e ditë turpi për një shoqëri si e jona, ku vriten mesatarisht rreth 25 gra çdo vit!

Vetëm prej 8 marsit të vitit 2012 e deri sot, në 8 marsin e vitit 2020, në Shqipëri janë vrarë 98 gra!

Dhe për të kuptuar më realisht përmasën e dhunës ndaj grave, mjafton të sjellim si shembull se vetën në një vit gjykatat tona japin mbi 9 mijë urdhëra mbrojtjeje për gratë!

Realitet i trishtë e i dhimbshëm, e ç’ka e bën edhe më alarmate situatën në Shqipëri, është trendi rritës i numrit të vrasjes e dhunimit të grave, sidomos gjatë pesë viteve të fundit, në përpjestim të zhdrejtë me rritjen e numrit të tyre si anëtare qeverie!

8 marsi ynë nuk mund të jetë festë, për sa kohë nuk është festë as për fëmijët që sot nuk e kanë nënën e tyre, të vrarë prej paburrërisë e burracakërisë shqiptare!

Edhe me kanun kisha dhe gruaja perjashtohen nga gjakmarrja, kisha dhe gruaja nuk merren në be.

Ndërsa me ligj, gruaja është e barabartë me burrin!

Por 8 marsi ynë është ndryshe!

Eshtë i dhimbshëm e i përgjakur si një ditë lufte!

Eshtë i përgjakur prej gjakut të nënës së vrarë, prej gjakut të gruas dhe të motrës së vrarë!

Ndaj, ç’kuptim kanë mimozat në 8 marsin e përgjakur shqiptar?!