Masat e qeverisë kundër Coronavirus prekin edhe sportin. Kryeministri Edi Rama njoftoi mbylljen e çdo aktiviteti sportiv.
Ky vendim prek edhe futbollin. Duke nisur nga ora 18:00 e ditës së sotme janë në program dy sfidat për javën e 26-të të Superligës.
Dy ndeshjet e Kategorisë Superiore Vllaznia-Partizani dhe Skënderbeu-Kukësi, do të luhen pa tifozë. Kjo për shkak të frikës nga Koronavirusi, i cili së fundmi ka mbërritur në vendin tonë, ku janë konfirmuar dy raste të prekurish.
Në këtë mënyrë ndeshjet e sotme nuk do të pezullohen siç edhe flitej, por ato do të luhen pa praninë e publikut.
Diçka e tillë është konfirmuar edhe nga Partizani të cilët nëpërmjet faqes zyrtare kanë njoftuar se ndeshje e sotme ne “Loro Boriçi” do të luhet pa praninë e tifozëve, por edhe nga FSHF.
Nuk dihet ende se çfarë do të ndodhë me ndeshjet e javës së ardhshme në Kampionatin shqiptar, por e sigurt është që ndeshjet e sotme nuk do të pezullohen.
Njoftimi i federatës:
Komiteti i Emergjencës në Federatën Shqiptare të Futbollit është mbledhur ditën e sotme për të vlerësuar situatën pas të urdhërit nr. 132, dt. 8/3/2020 të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lidhur me pezullimin e aktiviteteve sportive dhe sociale në vend.
Komiteti i Emergjencës vlerësoi se duke qenë se katër ekipet janë grumbulluar tashmë respektivisht në Shkodër (Vllaznia-Partizani) dhe Korçë (Skënderbeu – Kukësi), të vijojë me zhvillimin e këtyre dy ndeshjeve të javës së 26-të të Kategorisë Superiore, me dyer të mbyllura. Komiteti i Emergjencës në FSHF, i kërkon Këshillit të Ministrave një takim për të diskutuar në detaje lidhur me vijimësinë e aktiviteteve futbollistike në vend./b.l/noa.al/