Transmetuar më 10-03-2020, 08:04

Shqiptarët u gdhinë të hënën e kësaj jave me lajmin se ishin zbuluar dy raste të qytetarëve të prekur nga koronavirus diçka që duket se ka shkaktuar panik. Skenat që më herët u panë në supërmarketet e Itlaisë, Anglisë e në një sërë vendesh të tjera europiane u përsëritën edhe këtu me radhë të gjata fillimisht nëpër supermarkete në orët e paradites, teksa fluksi ka rënë në orët e darkës por sërish si ditë e hënë ishte jo normal.

Elona Hametaj, Drejtore Ekzekutive e rrjetit të supermarketeve Spar Albania tha për “Monitor” se ka pasur rritje me 300% të shitjeve, atipike kjo për ditën e parë të javës dhe jo vetëm në pikat e integruara brenda lagjeve por edhe në hipermarketet pranë qendrave tregtare. Ajo vuri theksin në faktin që nuk ka vend për panik dhe se janë marrë të gjitha masat për të përballuar këtë situatë.

“Në rrjetin e supermarketeve tona kemi pasur një rritje të shitjeve me 300 për qind këtë të hënë. Duam të theksojmë se nuk do të ketë ndryshim të çmimeve, nuk do të ketë mbyllje të dyqaneve dhe nuk mungon asnjë produkt ndaj njerëzit duhet të qetësohen. Janë marrë të gjitha masat për këtë situatë, pasi u pa më herët ajo që ndodhi me vende të tjera” nënvizoi Hametaj.

Blerjet nën panik të këtye diëve i ngjajnë të njëjtave blerje në volume si ato që ndodhin në festat e fundvitit, të paktën kështu e përshkruan ajo situatën e krijuar këto ditë.

Faturat mesatare të blerjeve kanë qenë mbi atë të zakonshmen për një pjesë të mirë të individëve teksa fokusi ka qenë tek blerja e miellit, makaronave, vajit, sheqerit, ujit dhe detergjentëve.

Të njëjtën situatë raportuan edhe nga rrjeti i supermarketeve “Big Market” ku sërish blerjet kanë qenë të fokusuara tek produktet bazike.

Tregu agroushqimor, “fluturojnë” portokallet

Një nga thekset e vazhdueshme që kanë vënë këto ditë mjekët për kujdesin ka qenë ajo e konsumit të vitaminës C.

E duket se nën panik përpos supermarketeve rritje të kërkesës ka pasur të hënën edhe në tregun Agroushqimor të Tiranës që ndodhet në krah të autostradës Tiranë-Durrës.

Tregtarët e pyetur thanë se ka pasur një rritje të shitjeve që ishte e ngjashme me një ditë të shtunë të paktën për blerjet e qytetarëve dhe jo furnizim shumice ndërsa agrumet e kryesisht portokalli është blerë jo më me kilogram por me arka.

Rritje të shitjeve ka pasur edhe për fruta-perimet e tjera apo zarzavatet.

Ndalesa e radhës nëpër farmaci

Edhe farmacitë e kryeqytetit kanë raportuar rritje të kërkesës të hënën për vitamin C, alkool si dhe mjekime të tjera që merren në rastet e gripeve normalë. Ndër të tjera duket se qytetarët kanë kërkuar të marrin masa për medikamente mbi dhimbje koke, apo qetësues të lehtë. Më herët kërkesat ishin të larta për maska një kërkesë që ende mbetet.

Nën këtë situatë farmacistët e pyetur shpjeguan se qytetarëve iu është rekomanduar që nëse kanë shqetësime të mos paraqiten pranë farmacive apo të vetëmjekohen por të komunikojnë me numrin e urgjencës apo të paraqiten pranë qendrave shëndetësore ku mund të marrin ndihmë dhe mendim të specializuar.