Transmetuar më 11-03-2020, 13:48

Dy persona të dënuar për drogë dhe shfrytëzim prostitucioni duhet të provojnë pasurinë e tyre.

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në Aktin Normativ të datës 31 janar 2020, Operacioni Forca e Ligjit u ka dërguar kërkesat për vetëdeklarim të pasurisë dy personave nga Berati.

Bëhet fjalë për Mikel Hoxhën, banues në Berat, dënuar nga Gjykata e Torinos, Itali, për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Shfrytëzim prostitucioni”.

Krahas tij është kërkuar të provojë pasurinë edhe Saimir Petova, banues në Berat, dënuar nga Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale “Trafikim i narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së.

Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse, për të evidentuar dhe dërguar në SPAK, të gjithë personat që janë subjekt i Ligjit Special. /a.y/noa.al