Transmetuar më 12-03-2020, 09:58

Një operacion i policisë së Kurbinit i koduar “Godull” ka goditur një tjetër rast itë tentativës së trafikimit të lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje, duke sekuestruar një gomone.

Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se dy persona dispononin një sasi lëndë narkotike gati për ta trafikuar, punonjës të Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë dhe me Komisariatin Kurbin, organizuan dhe finalizuan operacionin.

Gjatë tij u vunë në pranga S. Z., 60 vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Kurbin dhe R. S., 28 vjeç, banues në fshatin Thumanë.

Efektivët e policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në vendin e quajtur “Godull”, Kurbin, në një ambient në pronësi të shtetasit S. Z., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 613 kg lëndë narkotike, e dyshuar cannabis sativa, si dhe në një ambient tjetër, po në pronësi të këtij shtetasi, gjetën dhe një gomone.

Gjithashtu, gjatë kontrollit të banesës së S. Z., është gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu dhe 13 fishekë.

Nga veprimet e para hetimore rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin do trafikonin lëndën narkotike.

Aktualisht vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan për ndjekje të mëtejshme, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprat penale “Trafikim i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”. /a.y/noa.al