Bursat, dita më e keqe që nga rënia e madhe e vitit 1987
Transmetuar më 13-03-2020, 08:52

Tregu i aksioneve përjetoi rënien e vet më të madhe qysh nga "E hëna e zezë" e vitit 1987, me thellimin e frikës për ndikimet negative ekonomike nga kriza e koronavirusit. Treguesi mesatar i "Dow Jones" ra mbi 2 300 pikë, ose 10%.

Shitjet me humbje të aksioneve kanë ndodhur me gjithë masat e marra nga Rezerva Federale amerikane dhe Banka Qendrore Europiane.

Rënia e madhe qysh nga muaji i kaluar i ka dhënë fund shumicës së rritjes së vlerës së aksioneve në "Wall Street" qysh nga marrja e detyrës nga presidenti amerikan Donald Trump.

"S&P 500" u ul me afro 10%, me një rënie të përgjithshme prej 27% qysh nga pika më e lartë e vet në histori, e arritur pikërisht muajin e kaluar.

Kjo rënie i dha fund 11 vjetëve të rritjes së përgjithshme të vlerës së aksioneve të përfshira në këtë tregues.

Treguesit kryesorë në bursat europiane, si FTSE100 në Britani, DAX në Gjermani dhe CAC40 në Francë, pësuan rënie mbi 10%.

Rënia e madhe e aksioneve në bursa dhe e çmimit të naftës pasuan ndalimin nga presidenti amerikan Donald Trump të udhëtimeve nga Europa për të frenuar koronavirusin, duke sjellë kërcënime më të mëdha ndaj ekonomisë botërore.