Transmetuar më 13-03-2020, 09:04

Bardha është një nënë e re me dy fëmijë të mitur dhe burrin e papunë. Ata jetojnë në një shtëpin me qira dhe kanë si të ardhura të vetme rrogën që merr kjo grua nga puna në një fabrikë fasone. Dhe dihet, që në rastin më të mirë rroga tek to shkon 25 mijë lekë të rinj në muaj.

Ajo edhe tani është në borxhe për shkak të pamjaftueshmërisë së të ardhurave, por ndërkohë e ka krejt të pamundur për të përballur izolimin e detyrueshëm që ka bërë faktik qeveria në përpjekje për të frenuar infektimin e njerëzve me koronavirus.

E kjo situatë pa punë dhe pa ushqime është dramatike pët Bardhën.

Për më tepër, halli i saj është rasti i të paktën 600 mijë shqiptarëve që sipas INSTAT janë në kufirin relativ të varfërisë.

Shqipëria ofron pagat më të ulëta në Europë dhe ka nivelin më të ulët të të ardhurave për frymë. Më shumë se 60 për qind e popullsisë nuk kanë akses në banka se nuk kanë se ç’para të fusin brenda e për pasojë, gjasat për kursime të pjesës së varfër të popullsisë nuk ekzistojnë.

Në kushtet kur nuk kanë lekë dhe as kursime, e teksa masat e qeverisë po bëhen gjithnjë e më ekstreme për lëvizjen e popullsisë, familjet e varfra rrezikojnë të përjetojnë një emergjencë ushqimore.

Ministria e Shëndetësisë që drejton edhe funksionet publike të mirëqenies sociale në këtë periudhë i ka të përqendruara energjitë në luftën kundër Covid 19, ndërkohë që burimet financiare dhe ato njerëzore për një emergjencë sociale duken opsiom inekzistent në këto kushte.

Deri tani as qeveria dhe as shoqatat joqeveritare nuk janë ofruar për furnizime ushqimore ndaj të varfërve në izolim.

Në vendet e tjera që kaluan përvoja të tilla si Kina dhe Italia, pati një organizim të qartë në këtë drejtim. Individëve të pamundur iu dhanë dhe po u jepen ushqime dhe shërbime të tjera. Një pjesë e këtyre shërbimeve kryhen në mënyrë vullnetare, nën koordinimin e pushtetit lokal.

Ndërkohë shumë fabrika fasone dhe call center kanë reduktuar punën, për shkak se punonjësit kanë frikë të punojnë këto ditë. Të tjerët që nuk kanë mundësi financiare do të duhet të ikin në punë me gjithë frikën nga koronavirusi, por punët me grumbullime kolektive po shkojnë drejt mbylljes dita-ditës, edhe pas urdhrit të fundit të kryeministrit.

Dhoma e Tregtisë së Durrësit dhe Tiranës propozoi dje që punonjësit që do të rrinë në shtëpi për arsye të mbylljes së aktiviteteve, si dhe ato që do të vetëizoohen, të trajtohen si të sëmurë dhe të paguhen nga Fondi i Sigurimeve Shoqërore e Shëndetësore, për një periudhë të paktën njëmujore dhe pastaj në varësi të situatës.

Është Ministria e Financave ajo që duhet të përllogarisë efektet financiare dhe më tej qeveria të marrë vendimet për trajtime financiare për shkak të kësaj situate të jashtëzakonshme.