Transmetuar më 15-03-2020, 15:38

Koronavirusi po përhapet në shumë vende të botës, ndaj dhe disa emra të njohur kanë dhënë mesazhe sensibilizuese për përballimin e kësaj pandemie.

Një prej tyre është edhe ylli portugez, Cristiano Ronaldo. Ai ka vendosur të kthejë hotelet në pronësi të tij, në spitale.

Strukturat hoteliere do të përdoren krejtësisht falas nga të sëmurët me Covid-19. Mjekët, infermierët dhe personeli do të paguhen nga Ronaldo.

Me spitalet gati në kolaps, në fakt, çdo ndihmë për të shtuar vendet e krevatëve dhe kurat për të sëmurët mund të jetë vendimtare për të shpëtuar jetë e për të ndihmuar luftën kundër infektimit.

Ronaldo më tej apelon për kujdes jo si futbollist, por si biri dhe babai i dikujt.

“Bota po kalon një moment të vështirë që kërkon kujdesin dhe vëmendjen tonë maksimale. Ju flas jo si futbollist, por si biri dhe babai i dikujt, si një qenie njerëzore e vetëdijshme për zhvillimet që po prekin të gjithë botën. Është me rëndësi që të gjithë të ndjekim këshillat e OBSH-së (Organizata Botërore e Shëndetësisë) dhe organet drejtuese për mënyrën se si duhet të përballojmë situatën. Të mbrojmë jetët njerëzore është mbi gjithçka”, shkruan Ronaldo.

Ai flet dhe për shokun e skuadrës: "Shpreh solidaritetin tim për personat që po luftojnë me këtë virus, si shoku im i skuadrës Daniele Rugani dhe siguroj për mbështetje të vazhdueshme për të gjithë mjekët që po vendosin jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar të tjerët”. /a.k/noa.al/