Koronavirusi! Greqia ashpërson masat, mbyll kufijtë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Transmetuar më 15-03-2020, 20:13

Greqia njoftoi të dielën se do të ndalojë udhëtimet në rrugë tokësore, detare e ajrore nga Shqipëria e Maqedonia së Veriut për ata që nuk jetojnë në vend, si dhe do të ndalojë fluturimet nga Spanja në një përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Por autoritetet thanë se kufizimet nuk prekin transportin e mallrave.

Athina zgjati gjithashtu afatin e ndalimit të udhëtimeve nga Italia ndërsa asnjë anije turistike nuk do të lejohet që të ankorohet në portet e saj.

Siç raporton Zëri i Amerikës, ministria e Shëndetësisë njoftoi të dielën edhe një tjetër rast vdekjeje nga koronavirusi, duke rritur numrin e përgjithshëm në katër ndërsa numri i të prekurve llogaritet në 331 persona.

Tubimet masive janë ndaluar, janë mbyllur kafene, bare, palestra e ambjente të mbylluara sportive. Duke nisur prej ditës së hënë autoritetet do të vendosin gjithashtu kontrolle në supermarkete për të shmangur rradhët e gjata.

Kisha Ortodokse Greke pritet të zhvillojë një takim urgjent të hënën për të diskutuar pjesëmarrjet në mesha apo shërbesa fetare.

Komiteti Olimpik grek tha se ceremonia e dorëzimit të flakës olimpike për lojërat e këtij viti në Tokio që është planifikuar të zhvillohet më 19 Mars do të mbahet pa praninë e publikut apo gazetarëve.

Loading...