Transmetuar më 17-03-2020, 14:46

Pas publikimi të propozimeve nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka reaguar edhe kryeministri Rama. Përmes një postimi në Twitter, Rama shkruan se mirë virusi, po nuk e lë rehat as 7×7=42-shi (duke iu referuar Bashës) me masat fantastike, duke i përsëritur në gjumë.

“Mirë virusi e mirë gjithë ky mal me halle mbi kokën e popullit, po s’të le as 7×7=42-shi me masat fantastike që i përsërit duke folur në gjumë!

Fli o xhan fli se të erdhi dita po pas duarve laj edhe sytë që ta kuptosh se je zgjuar e mos i tregosh miletit si duket virusi nga hëna!”, shkruan Rama.

Më herët kreu i PD publikoi masat e propozuara prej saj për të ndihmuar ekonominë shqiptare dhe shoqërinë ndërkohë që pothuajse gjithçka është ndaluar në vend me masat e vendosura nga qeveria për koronavirusin.

“Masat ekonomike dhe sociale të propozuara nga PD janë të qarta dhe lehtësisht të zbatueshme për t’ju ardhur në ndihmë familjeve në nevojë dhe të moshuarve që jetojnë në kushte të vështira, dhe për të ndihmuar ekonominë. Le të jemi solidarë e të bashkuar në ndihmë të njeri-tjetrit”, deklaroi Basha./b.l/noa.al/