Transmetuar më 17-03-2020, 23:24

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i ka propozuar Kuvendit të Kosovës dekretin për gjendje të jashtëzakonshme në Kosovës.

Thaçi ka njoftuar se pas mbledhjes me Këshillin e Sigurisë dhe pas konsultimin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, propozoi dekretin për gjendje të jashtëzakonshme.

“Në këtë kohë, në rrethana të pa përjetuara në Kosovë dhe rajon, Kosova nuk është vend i izoluar, është e përfshirë nga koronavirusi që paraqet shqetësim për gjithë botën, gjithë njerëzimin, paraqet shqetësim edhe për Kosovën pas paraqitjes së rasteve të fundit. Sonte jemi të detyruar të deklarojmë dhe propozojmë duke respektuar kushtetutën do t’i propozoj Kuvendit dekretin për gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë e përfshinë mobilizimin e FSK’së në tërë territorin e Kosovës”, deklaroi Thaçi.

Ky dekret vjen si rezultat i epidemisë së koronavirusit.

“Jemi në një rrethanë të papërjetuar më parë dhe si shtet duhet t’i marrim përgjegjësitë që na takojnë, do të ishte papërgjegjshme mos të reagonim”.

“Duke respektuar kushtetutën e vendit dhe ligjet dhe përgjegjësinë morale dhe njerëzore. Unë sot kam thirrur në një takim Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Kosovës dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, pas kërkesës sime, kryeministri e ka ftuar KSK’në”, njofton presidenti.

Çfarë thotë Kushtetuta për gjendjen e jashtëzakonshme?

Kushtetuta e Kosovës, përcakton se “nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me Kryeministrin, mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme”.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 131 me shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, Presidenti i vendit shpallë menjëherë një dekret, i cili përcakton natyrën e gjendjes së emergjencës dhe çfarëdo kufizimi mbi të drejtat dhe liritë.

“Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin e tij me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt”, thuhet në Kushtetutë.

Akti më i lartë juridik i vendit thotë se gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Sa i përket kohëzgjatjes, Kushtetuta përcakton se gjendja e Jashtëzakonshme zgjat për aq kohë sa vazhdon të kërcënojë rreziku dhe nuk mund të zgjatë më shumë se për një periudhë prej gjashtëdhjetë (60) ditësh.

“Me pëlqimin e shumicës së deputetëve të Kuvendit të pranishëm dhe që votojnë, Gjendja e Jashtëzakonshme, nëse është e nevojshme, mund të zgjatet për periudha pasuese prej tridhjetë (30) ditësh, por jo më shumë se për nëntëdhjetë (90) ditë shtesë gjithsej”, thuhet në paragafin 5 të nenit 131 të Kushtetutës.

Por, paragrafi 6 i po të njejtit nen, thotë se “kur Presidenti konstaton se rreziku ndaj Republikës së Kosovës është i natyrës së jashtëzakonshme, Kuvendi mund të vendosë që Gjendja e Jashtëzakonshme të zgjasë më shumë se njëqind e pesëdhjetë (150) ditë, vetëm nëse për të votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit”.

Situata me koronavirusin

Në Kosovë deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirusin e ri. Shumë shtete në botë kanë vendosur të shpallin gjendjen e jashtëzakonshme pas rritjes së numrit të të infektuarve me këtë virus. Kjo bëhet në përpjekje për të parandaluar përhapjen e tij. Koronavirusi i ri ka shpërthyer në fund të vitit të kaluar në Kinë.

Në muajt vijues, pothuajse gjitha vendet e botës kanë raportuar raste me infeksione.

Sipas të dhënave të Universitetit John Hopkins deri më 17 mars, në gjithë botën janë konfirmuar 195,935raste me koronaviusin e ri. Mbi 80,840 të infektuar janë shëruar, ndërkaq të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, janë mbi 7,866 persona.