Transmetuar më 18-03-2020, 22:33

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur publikisht për shkarkimin e ministrit të Bredshëm nga radhët e LDK-së.

Në një deklaratë për mediat, Kurti tha se Veliu kreu dy tradhti dhe kreu i LDK u njoftua për shkarkimin rreth 30 minuta më parë.

“Nuk kisha zgjidhje tjetër veçse ta liroja, 30 minuta më përpara kam njoftuar kreun e LDK-së dhe kam kërkuar emër tjetër prej atij që shprehu tradhëti ndaj qeverisë ku bën pjesë dhe tradhëti të dyfishtë ndaj Kosovës. Nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme.

Nëse lind nevoja do e bëjmë një gjë të tillë. Asnjë institucion nuk ka dështuar në punë e tyre për të marrë këtë masë ekstreme si gjendja e jashtëzakonshme. Një kërkesë e tillë është e palogjikshme dhe e pandërgjegjshme. Unë vazhdoje bashkëpunimin dhe komunikimin me të gjithë krerët e institucioneve. Deklaratat e bëra nga ministri i brendshëm i shkarkuar Veliu, e bëri të detyrueshëm ta liroja nga detyra.

Ai shprehu një tradhti të dyfishtë, ndaj  qeverisë ku bën pjesë dhe ndaj policisë duke kërkuar  një gjendje të jashtëzakonshme me kokën e tij. Policia nuk është në gjendje të jashtëzakonshme, ajo po bën një punë të shkëlqyer dhe ende nuk po shfrytëzon të gjithë kapacitete e saj në këtë periudhë pasi ende nuk është e nevojshme, jo më të kalohet në gjendje të jashtëzakonshme", tha Albin Kurti.

Më parë, Isa Mustafa tha se LDK do të nisë një mocion mosbesimi pasi nuk dëshirojnë të bëhen pjesë e një qeverie të tillë.