Transmetuar më 19-03-2020, 11:02
Eldi Cala, Klement Cala

Dy vëllezërit Klement dhe Eldi Çala, të akuzuar për grabitjen e bujshme të blindave me para në aeroportin “Nënë Tereza” në 9 prill 2019, u arrestuan mëngjesin e sotëm gjatë një superoperacioni ku u përfshin 300 forca policia.

Ata u arrestuan në një banesë që kishin marrë me qira në zonën e Qerretit të Kavajës, ku mendohet se qëndronin të fshehur prej kohësh.

Klement dhe Eldi Çala janë dy vëllezërit e shpallur në kërkim për grabitjen e 10 milionë eurove në Rinas në 9 prill 2019.

Ata akuzohen se së bashku me një grup personash arritën që të marrin sasinë e parave të transportuara me blinda nga bankat e nivelit të dytë në Shqipëri jashtë shtetit nëpërmjet Rinasit. Por gjatë shkëmbimit të zjarrit me policinë mbeti i vrarë Admir Murataj, i cili cilësohej si "truri" i grabitjeve.

Ndaj tyre Gjykata e Krimeve të Rënda ka caktuar në mungesë masën “arrest me burg” për akuzat “Vrasja e punonjësit të Policisë”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, “Vjedhja me armë kryer në bashkëpunim”, “Grup i strukturuar kriminal”

Dy vëllezërve në 23 korrik, ju sekuestrua një pasuri prej 500 mijë eurosh dhe më konkreritsht:

-një apartament me sipërfaqe 50 m2, në qytetin Elbasan;

-pasuri e llojit arë + truall me sipërfaqe 500 m2 dhe një ndërtesë e llojit njësi me sipërfaqe 167,9 m2 e ndërtuar mbi këtë pasuri, në vendin e quajtur Kusarth, Elbasan;

-pasuri e llojit arë me sipërfaqe 809,5 m2, mbi të cilën është regjistruar kontrata e sipërmarrjes për ndërtimin e 3 vilave nga 1 kat + nënçati me sipërfaqe 166 m2 secila, me vlerë investimi 15.662.000 secila, në vendin e quajtur Kusarth, Elbasan;

-50 % e aksioneve të një shoqërie në zotërim të shtetasit E.Ç, në vendin e quajtur Bradashesh, Elbasan. /a.y/noa.al

Grabitja në aeroportin e Rinasit, 300 policë në aksion, kapen dy të shumëkërkuarit