Lokale të hapura, shoferë të pabindur dhe këmbësorë në rrugë/ Gjobat që vuri policia gjatë 24 orëve
Transmetuar më 19-03-2020, 16:09

Gjatë 24 orëve të fundit i është hequr leja e drejtimit 78 shoferëve që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit. Ata kanë thyer rregullat për zbatimin e masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për të vënë në kontroll pasojat që sjell përhapja e COVID-19.

Nuk kanë munguar as drejtimet në gjendje të dehur në disa qytete të Shqipërisë. Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe në kundërshtim me urdhrin për ndalim qarkullimi, konkretisht: 1 në Dibër, 1 në Tiranë, 1 në Shkodër dhe 1 në Korçë.

Ndërsa gjatë kontrolleve për zbatimin e masave shtesë për mbylljen e lokaleve, u ndëshkuan me masë administrative me nga 100.000 lekë secili, 13 administratorë lokalesh, konkretisht: 6 në qarkun Tiranë , 3 në qarkun Durrës, 2 në qarkun Shkodër, 1 në qarkun Lezhë dhe 1 në qarkun Fier.

Gjatë kontrolleve për respektikimin e vetëkarantimit, u kap në Shkodër një person i identifikuar me inicialet E. D., i cili ishte kthyer nga Kosova më datë 17.03.2020.  Ai doli nga banesa dhe për këtë është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë.

Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19./a.m/noa.al

Loading...