Transmetuar më 19-03-2020, 20:19

Kosova nuk ka regjistruar raste të reja të të infektuarve me koronavirus në 24 orët e fundit. Aktualisht numri i të prekurve është 20-të, ndërsa janë kryer mbi 300 testime të personave të dyshuar.

Rasti i fundit i konfirmuar të mërkurën ishte një grua 55 vjeçare nga fshati Bradash i Podujevës, rreth 30 kilometra në veri të Prishtinës.

Autoritetet ndërkaq kthyen sot në vend në mënyrë të organizuar 39 qytetarë që kishin mbetur jashtë Kosovës, përfshirë fëmijë dhe të moshuar.

Të gjithë ata u vendosën në karantinë 14 ditëshe në konviktet e studenëtve në Prishtinë, që janë shndërruar në qendër të pritjes dhe izolimit.

Siç raporton Zëri i Amerikës, ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, tha se qytetarët e regjistruar nga ambasadat e Kosovës do të vazhdojnë të kthehen në shtëpi në mënyrë të organizuar dhe nën mbikëqyrje. Ai u bëri thirrje shtetasve të Kosovës që kanë mbetur jashtë vendit dhe duan të kthehen të lajmërohen në ambasadat gjithandej.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, nga një shkurti i këtij viti deri më 19 mars në aeroportin e Prishtinës dhe në vendkalimet kufitare tokësore kufitare janë kontrolluar gjithsej 14 mijë e 442 udhëtarë.

Që nga e premtja kur janë regjistruar rastet e para të të prekurve me koronavirus, qeveria ka marrë masa të shtuara për të parandaluar zgjerimin e tij, ndërsa institucionet janë përfshirë në përplasje politike rreth kërkesës së presidentit të Kosovës për të deklaruar gjendjen e jashtëzakonshme, një kërkesë që nuk po mbështetet nga kryeministri Albin Kurti.