Transmetuar më 20-03-2020, 23:22

Gazetari dhe opinionisti Ilir Kulla, për disa vite këshilltar i kryeministrit Fatos Nano, bën të ditur se ka vërtetuar tërësisht sot një rast infektimi në seri nga koronavirusi, shkaktuar nga ardhja në Shqipëri e një familjeje e cila iu shmang situatës që precipitoi në Itali.

Duke marrë shkas nga fotoja që shihni, Kulla thotë se dëshiron të ndajë informacionin "të cilin e kam vertetuar teresisht sot", duke vlerësuar se nuk duhet bërë publikimi i emrave.

"Një 42 vjeçar me bashkëshorten dhe vajzen, per ti ikur koronavirusit, nga Italia vjen ne Shqiperi. Mbyllet ne nje hotel ne bregdet me familjen. Organizon dhe nje dreke me miq e shoke. Pas pak ditesh kupton qe mund te ishte infektuar, por nuk telefonon 127. Shkon ne shtepine e prinderve ku jeton i ati per t’u karantinuar. Infekton të atin. Shkon dhe te berberi per t’u qethur infekton dhe berberin me shume gjase i cili eshte i karantinuar me temperature te larte. Infekton me gjasë dhe nje shokun e tij te ngushte që është me temperaturë dhe ky ne shtepi. Nderkohe ky berberi nuk dihet sa njerez ka infektuar. Shyqyr qe u aktivizua Policia e Shtetit qe e ndaloi pasi ky personazh fshihej dhe pas kësaj u bë e mundur qe ky dhe i ati te dergoheshin ne spital ku jane ne gjendje të renduar shendetesore".

Kulla shpjegon arsyen pse e publikoi këtë informacion: "Për të bërë të kuptueshme që rreziku mund te jemi secili nga ne nga sjellja qe kemi. Sigurisht une nuk jam shquar kurre si perkrahes i Kryeministrit dhe njerezve te tij perkundrazi, por kur ka te drejte ka te drejtë, ruhuni, mos dilni, gjithkush mund te jetë rreziku dhe mund te jete kudo".

Kulla pohon se ai e kupton frustimin e izolimit, por shton: "Pa mendoni per familjet e ushtarakeve, policeve, personelit mjeksor dhe per ta vete qe per hir te vertetes jane te ekspozuar ndaj semundjes me shume se te tjeret. Mendoni per prinderit, per jeten, per krizen ekonomike qe vendi do kaloje si rrjedhoje e pandemise. Sa me te pergjegjshem te jemi aq me pak cmim jetesh dhe social do paguajme. Zoti na mbrofte te gjithe por duhet te mbrojme veten dhe njeri tjetrin!" /noa.al/